Radhët e gjata dhe vonesat e vazhdueshme në kontrollin e pasaportave në aeroportin Humberto Delgado të Lisbonës po shkaktojnë probleme serioze për pasagjerët, duke çuar deri në humbjen e fluturimeve. Mes atyre që humbën fluturimin ishte edhe një çift që nuk arritën të fluturonin nga Lisbona drejt Londrës pasi mbetën të bllokuar për gati një orë në radhën e kontrollit të pasaportave.
Helena Feltham tregoi për “The Times” se ajo dhe bashkëshorti i saj mbërritën në aeroport në kohën e hapjes së check-in-it për fluturimin e British Airways drejt Heathrow. Pas kalimit të sigurisë, ata u përballën me një situatë kaotike në kontrollin e pasaportave, ku me qindra persona prisnin përpara vetëm dy oficerëve. Sipas saj, stafi i aeroportit nuk ofroi asnjë ndihmë dhe pas rreth 50 minutash pritje, çifti humbi fluturimin.
Sipas Helenës, British Airways nuk kishte staf në terminal për të asistuar dhe për shkak se biletat ishin blerë përmes një pale të tretë, kompania ajrore nuk mundi t’i ndihmonte për rirezervim. Për t’u kthyer në Londër, ata u detyruan të blinin bileta të reja me TAP Air Portugal, duke pësuar një humbje financiare prej rreth 380 paundësh.
Ekspertët e udhëtimit theksojnë se problemet në aeroportin e Lisbonës janë bërë të përditshme, për shkak të mbingarkesës, mungesës së stafit dhe vështirësive me sistemin e ri të hyrje-daljes. Operatorët e aeroportit kanë kërkuar ndjesë, duke sqaruar se kontrolli i pasaportave është në varësi të policisë dhe jo të menaxhimit të aeroportit.
Ankesat për pritje deri në katër apo pesë orë, veçanërisht për pasagjerët jashtë BE-së, po shtohen, ndërsa zgjidhje afatshkurtra ende nuk duken në horizont.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)