Zvicra bllokon 752 milionë euro të dyshuara se i përkasin ish-presidentit Maduro

Fondet do të mbeten të “ngrira” deri në përfundim të hetimeve, nëse vërtetohet origjina e paligjshme do të nisin procedurat për kthimin e tyre në dobi të popullit të Venezuelës.

24.02.2026. 11:14

Zvicra bllokon 752 milionë euro të dyshuara se i përkasin ish-presidentit Maduro

Zvicra ka ngrirë 687 milionë franga zvicerane, ekuivalente me afro 752,4 milionë euro, në asete që lidhen me ish-presidentin e Venezuelës, Nicolás Maduro dhe rrethin e njerëzve të tij të afërt. Masa është miratuar nga Këshilli Federal zviceran me qëllim parandalimin e zhdukjes së fondeve të dyshuara.

Vendimi u morr pas arrestimit të Maduro-s më 3 janar dhe transferimit të tij në Shtetet e Bashkuara, ku ai përballet me akuza për trafik të lëndëve narkotike dhe korrupsion. Sipas Ministrisë së Jashtme zvicerane, pasuritë janë raportuar nga ndërmjetës financiarë pranë Zyrës për Komunikimin në çështjet e pastrimit të parave. Ato do të qëndrojnë të ngrira deri në përfundimin e hetimeve.

Autoritetet në Bernë kanë bërë të ditur se, nëse vërtetohet origjina e paligjshme e këtyre fondeve, do të nisin procedurat për kthimin e tyre në dobi të popullit të Venezuelës. Vendimi bazohet në ligjin federal për ngrirjen dhe kthimin e pasurive të paligjshme të personave politikisht të ekspozuar dhe përforcon regjimin e sanksioneve që Zvicra ka vendosur ndaj Venezuelës prej vitit 2018.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)