Një plantacion i madh kanabisi është zbuluar brenda një rezidence historike në Plas Glynllifon në Britaninë e Madhe, e njohur për faktin se dikur ka pritur një ballo në nder të Mbreti Charles III.
Operacioni u zhvillua nga policia e North Uells, e cila ekzekutoi një kontroll në pronën e ndodhur pranë Caernarfon. Gjatë kontrollit, efektivët zbuluan një plantacion të konsiderueshëm kanabisi në katin e sipërm të ndërtesës.
Sipas autoriteteve, rreth 12 dhoma ishin përshtatur për kultivimin e bimëve, të cilat ndodheshin në fazë të avancuar rritjeje. Policia bëri të ditur se po kryhen analiza të shumta forensike dhe po shqyrtohen prova të ndryshme, përfshirë edhe materiale digjitale, me qëllim identifikimin e personave përgjegjës.
Zyrtarët theksuan se sistemi elektrik i ndërtesës ishte manipuluar dhe furnizimi me ujë ishte devijuar për të mbështetur aktivitetin e paligjshëm, ndërsa vetë godina ndodhet në gjendje të dëmtuar.
Rezidenca, e ndërtuar në vitet 1830 dhe e klasifikuar si monument i kategorisë së parë, ka qenë dikur pronë e Lord Newborough. Ajo fitoi rëndësi historike pasi priti një ballo në kuadër të ceremonisë së dhënies së titullit “Princi i Uellsit” për Charles në vitin 1969.
Policia njoftoi se do të qëndrojë në vendngjarje për disa ditë, ndërsa hetimet vijojnë dhe priten edhe arrestime në lidhje me rastin.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)