Partia Demokratike dhe grupi i saj parlamentar i ka dërguar një raport ndërkombëtarëve në lidhje me atë që ajo e quan asgjësimin e të drejtave të opozitës në Kuvend.
Në raportin e dërguar nga PD në selitë diplomatike thuhet se mazhoranca ka asgjësuar të gjitha mekanizmat e kontrollit në Kuvend dhe e trajton atë sikur të jetë njëpartiak.
Sipas PD, opozitës i janë refuzuar dhjetëra interpelanca dhe komisione hetimore, apo mocione me debat dhe kërkesa për informacion.
Shqetësim për opozitën mbetet edhe përjashimi i saj nga procesi i integrimit europian, apo edhe nga procesi i emërimeve në institucionet e pavarura.
“Qëndrimi politik i shumicës për të bllokuar çdo të drejtë kushtetuese të opozitës, refuzimi i çdo iniciative ligjore, përjashtimi i saj nga procesi i emërimeve në institucionet e pavarura, apo përjashtimi i saj nga procesi i integrimit, e bën rolin e deputetëve të opozitës në Parlament jo vetëm të papërfillshëm, por mbi të gjitha një fasadë të një normaliteti të rremë, që minon vetë parimet dhe standardet minimale të parlamentarizmit demokratik.
Kjo situatë vë seriozisht në pikëpyetje vetë qëllimin e vazhdimit të pranisë së opozitës në Parlament. Nëse opozita nuk mund të diskutojë çështje me interes publik, nuk mund të ushtrojë mbikëqyrje mbi qeverisjen, nuk mund të propozojë ligje apo amendamente në dobi të qytetarëve, dhe nëse të drejtat e saj kushtetuese shpërfillen, atëherë roli i saj bëhet thjesht formal, duke dështuar në përmbushjen e përgjegjësive demokratike.” - thuhet ndër të tjera në Raportin e Grupit Parlamentar të PD.
Raporti i Grupit Parlamentar të PD i është dërguar zyrtarisht edhe Kryetarit të Kuvendit Niko Peleshi.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)