Një tjetër dëshmi e rëndësishme për praninë e faunës së rrallë në Shqipëri është regjistruar në Parkun Kombëtar të Shebenikut, ku është fotografuar sërish rrëqebulli i Ballkanit, një nga speciet më të rrezikuara në rajon.
Sipas Agjencisë Kombëtare të Zonave të Mbrojtura, identifikimi i këtij grabitqari të rrallë është realizuar përmes kamerave kurth të vendosura në terren, si dhe nëpërmjet gjurmëve të evidentuara dhe monitorimit të vazhdueshëm nga specialistët e zonave të mbrojtura në Elbasan.
Autoritetet mjedisore e konsiderojnë këtë zhvillim si një tregues të qartë të përmirësimit të kushteve natyrore dhe të masave të marra për mbrojtjen e biodiversitetit. Prania e rrëqebullit dëshmon se habitatet po ruhen dhe po ofrojnë kushtet e nevojshme për mbijetesën e specieve të rrezikuara.
Ekspertët theksojnë se zgjerimi i territorit ku shfaqet kjo specie është një sinjal pozitiv për ekosistemin në tërësi. Megjithatë, ata nënvizojnë se mbrojtja e rrëqebullit të Ballkanit mbetet një sfidë e vazhdueshme dhe kërkon angazhim të fortë institucional dhe ndërgjegjësim publik për ruajtjen e natyrës.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)