Kryeministri Edi Rama ka sqaruar ndryshimet në skemën e mbështetjes me naftë për bujqësinë, gjatë një takimi me përpunuesit e ullirit në Berat, duke theksuar se masat e reja synojnë të shmangin abuzimet dhe të rrisin efikasitetin në sektor.
Rama u shpreh se subvencionimi i naftës ka qenë një sfidë e vazhdueshme, pasi në shumë raste nuk është përdorur për qëllime bujqësore. Sipas tij, megjithëse mbi 60 mijë persona kanë përfituar nga kjo skemë, realisht numri i aktorëve që prodhojnë në bujqësi është shumë më i ulët.
Ai theksoi se qeveria nuk e ka hequr mbështetjen për fermerët, por ka kufizuar mundësinë e abuzimit me naftën.
“Për sa i përket pjesës tjetër, nafta ka qenë sfidë më vete për bujqësinë, kemi provuar ta kthejmë në disa anë dhe në fund kemi dalë në rezultat të thjeshtë. Rezultati i thjeshtë është ky, ne jemi më shumë për të shpenzuar për bujqësinë, por nuk kemi aq shumë sa të shpenzojmë pa problem.
Rimbursimi i TVSH-së me 10%, që do të thotë, kemi pasur mbi 60 mijë që kanë marrë naftë, ndërkohë që ne e dimë shumë mirë që fuqia prodhuese dhe bazat prodhuese nuk e kanë këtë lloj proporcioni. Nuk kanë 60 mijë aktorë. Në këtë sens, ne nuk kemi hequr mbështetjen për asnjë që ka nevojë edhe për naftë, por kemi hequr mundësinë që nafta të abuzohet dhe përdoret për qëllime që nuk kanë lidhje me bujqësinë, kjo është e vërteta.
Ose kemi dalë në atë konkluzion edhe për një fakt tjetër, që shumë njerëz që punojnë tokat e të tjerëve, kanë qenë të detyruar të marrin naftën dhe të ua japin të tjerëve, është dhënë për sipërfaqe, ai tjetri ka pasur një Mercedez në qytet dhe ka marrë naftën nga ai që punon tokën atje”, tha mes të tjerash kryeministri.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)