Dy shqiptarë janë përfshirë në një përplasje të dhunshme me dy persona me origjinë nga Afrika e Veriut në Trento të Italisë, e cila degjeneroi në përdorimin e armëve të zjarrit, ku një prej tyre mbeti i plagosur.
Ngjarja ndodhi mëngjesin e së premtes në qendër të qytetit. Sipas të dhënave nga vendngjarja, dy nga personat ndodheshin në një bar duke pirë kafe, kur u afruan dy të tjerët. Takimi mes tyre u shndërrua menjëherë në konflikt fizik.
Dy shqiptarët u larguan me vrap drejt një tabacchino në rrugën “Santa Croce”, por u ndoqën nga dy personat e tjerë. Brenda ambientit të biznesit shpërtheu një tjetër përleshje, gjatë së cilës u dëgjuan edhe disa të shtëna.
E njëjta armë u përdor edhe si mjet goditës, duke lënë të plagosur një nga personat, i cili raportohet se ka marrë dëmtime në shpatull. Alarmi u dha nga pronarja e dyqanit dhe nëna e saj, të cilat u strehuan në pjesën e pasme të lokalit, të tronditura, por pa pësuar lëndime.
Të katër personat e përfshirë janë ndaluar nga autoritetet. Fillimisht u dyshua për një tentativë grabitjeje, por hetimet e mëvonshme sugjerojnë se bëhet fjalë për një konflikt mes dy grupeve, që ka degraduar në dhunë.
Në vendngjarje ndërhynë forcat e rendit, të cilat po mbledhin dëshmi dhe prova për të zbardhur plotësisht rrethanat. Një nga pistat kryesore që po hetohet është ajo e një përplasjeje të mundshme të lidhur me trafikun e lëndëve narkotike.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)