Gjuha shqipe mungon edhe në Kuvendin e RMV, ndërpritet seanca pas tensioneve

Për shkak të situatës së tensionuar, nënkryetarja e komisionit, Vesna Gjorgjieva, vendosi të ndërpresë përkohësisht seancën.

Burimi: Alsat.mk

08.04.2026. 17:32

Gjuha shqipe mungon edhe në Kuvendin e RMV, ndërpritet seanca pas tensioneve

Tensione dhe përplasje verbale janë shënuar në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut gjatë një seance parlamentare, pas pretendimeve për moszbatim të përdorimit të gjuhës shqipe në dokumentacionin zyrtar.

Deputetja e Aleancës për Shqiptarët, Ilire Dauti, refuzoi të largohej nga foltorja në shenjë proteste, duke deklaruar se materialet e shpërndara për seancën ishin vetëm në gjuhën maqedonase. Ajo e konsideroi këtë veprim si diskriminues dhe në kundërshtim me të drejtat e deputetëve shqiptarë.

Në fjalën e saj, Dauti hodhi akuza edhe ndaj ministrit Fatmir Limani, duke pretenduar se ai ka firmosur dokumente vetëm në maqedonisht. Po ashtu, ajo kritikoi edhe kryetarin e Kuvendit, Afrim Gashi, për moszbatim të ligjit për përdorimin e gjuhëve.

Për shkak të situatës së tensionuar, nënkryetarja e komisionit, Vesna Gjorgjieva, vendosi të ndërpresë përkohësisht seancën, me qëllim sigurimin e përkthimit të materialeve në gjuhën shqipe.

Nga ana tjetër, Gjorgjieva e akuzoi deputeten Dauti se po përpiqej ta politizonte situatën për përfitime politike, duke kërkuar që pas zgjidhjes së çështjes së përkthimit, punimet të vijonin normalisht.

Vetëm pak ditë më parë studentët shqiptarë mbajtën një protestë të madhe, ku kërkuan që provimet e tyre të mbaheshin edhe në gjuhën shqipe. Me këtë protestë u sensibilizuan të gjitha partitë shqiptare në RMV, por edhe ato jashtë kufijve në Kosovë, Mal të Zi e Shqipëri.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)