Një mori zjarresh me përmasa të mëdha dhe të vogla, kanë përfshirë ditët e fundit pyjet në Toskana të Italisë, duke shkaktuar dëme të konsiderueshme në zona të ndryshme.
Një nga rastet më të pazakonta është regjistruar në zonat rurale mes Firenzes dhe Pistoias, ku ndërhyrja e zjarrfikësve çoi në një zbulim të papritur, një plantacion me kanabis.
Ngjarja ndodhi në lokalitetin Poggioni, ku pas shuarjes së flakëve, ekipet e zjarrfikësve zbuluan rreth 200 bimë kanabisi, të organizuara me një sistem ujitjeje përmes tubave, çka tregon se bëhej fjalë për një kultivim të mirëstrukturuar.
Zjarri, i cili përfshiu rreth një hektar tokë, u vu nën kontroll falë ndërhyrjes së 12 skuadrave të shërbimit të mbrojtjes nga zjarret në pyje.
Pas zbulimit, në vendngjarje mbërritën forcat e policisë nga Empoli, të cilët kanë nisur hetimet për të zbardhur rrethanat e ngjarjes.
Autoritetet nuk përjashtojnë asnjë pistë, por dyshimi kryesor është se zjarri mund të ketë nisur pikërisht nga ky plantacion i paligjshëm kanabisi. Hetimet vijojnë për të identifikuar personat përgjegjës dhe për të kuptuar nëse zjarri ka qenë aksidental apo i qëllimshëm.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)