Kaos dhe radhë të gjata automjetesh janë regjistruar në Avelengo në Itali, pasi një defekt elektronik në një pikë karburanti bëri që nafta të shitej gabimisht me vetëm 19.9 cent për litër për disa orë.
Sipas mediave italiane, problemi ndodhi në një stacion karburanti me vetëshërbim, ku çmimet përditësohen nga distanca përmes sistemit elektronik të kompanisë furnizuese.
Gjatë përditësimit të çmimeve, në vend të vlerës 1.999 euro për litër, në sistem u vendos gabimisht 0.199 euro, duke bërë që dhjetëra drejtues mjetesh të nxitonin drejt pikës së karburantit për të përfituar nga çmimi shumë i ulët.
Pamjet nga vendi i ngjarjes treguan radhë të gjata makinash dhe qytetarë që mbërrinin edhe me bidonë për të mbushur karburant. Situata krijoi trafik dhe konfuzion në zonë deri në momentin kur rezervat e naftës u shteruan.
Kryetarja e bashkisë së Avelengos, Anna Plank, konfirmoi se janë krijuar skena kaotike, ndërsa presidenti i shoqatës së menaxherëve të pikave të karburantit në Alto Adige tha se raste të tilla janë shumë të rralla.
Sipas tij, dëmi ekonomik për operatorin e pikës së karburantit llogaritet rreth 10 mijë euro, por përgjegjësia pritet t’i kalojë kompanisë qendrore që menaxhon sistemin elektronik.
Autoritetet theksojnë se klientët nuk kanë kryer asnjë shkelje, pasi çmimi i afishuar në tabelë ishte realisht ai që paguhej në pompë.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)