“Ndihma po vjen”, Trump i drejtohet popullit iranian: Protestoni, regjimi do ta paguajë shtrenjtë!

"Ndihma po vjen", shkroi presidenti amerikan në Truth Social, duke parashikuar zhvillime të reja dhe të forta në Iran.

13.01.2026. 17:34

“Ndihma po vjen”, Trump i drejtohet popullit iranian: Protestoni, regjimi do ta paguajë shtrenjtë!

Ndihma po vjen!”. Ky është mesazhi më i fundit që Donald Trump i ka dërguar popullit të Iranit dhe tepër domethënës për qasjen që Uashingtoni do të ndjekë në vijim përkundrejt protestave që vijojnë prej dy javësh kundër regjimit të Ajatollahut.

Postimi i Presidentit amerikan në Truth Social është një mesazh shumëdimensional dhe hap rrugën për zhvillime të reja në vend, pasi ai u kërkoi iranianëve që të vazhdojnë protestat dhe premtoi se "vrasësit do të paguajnë shtrenjtë".

Në të njëjtën kohë, ai parafrazoi frazën e njohur "Make America Great Again - MAGA" , duke shkruar "Make Iran Great Again - MIGA".

"Patriotë iranianë, VAZHDONI DEMONSTRATAT - PUSHONI INSTITUCIONET TUAJA!!! Shkruani emrat e vrasësve dhe torturuesve. Ata do të paguajnë një çmim të lartë. Kam anuluar të gjitha takimet me zyrtarët iranianë derisa vrasjet e pakuptimta të protestuesve TË NDALOJNË. NDIHMA PO VJEN. MIGA (Make Iran Great Again)!!!", shkroi Trump.

Ky reagim i Presidentit amerikan erdhi vetëm pak orë pasi ai njoftoi tarifa prej 25% për çdo vend që bën tregti me Teheranin. Trump sakaq, është informuar ditët e fundit mbi opsionet e reja për sulme ushtarake kundër Iranit, ndërsa po shqyrton zbatimin e kërcënimit të tij për të sulmuar vendin për shkak të shtypjes së protestave nga regjimi atje.

Sulmet me raketa me rreze të gjatë veprimi mbeten një opsion për një ndërhyrje të mundshme të SHBA-së, por zyrtarët e Pentagonit kanë përshkruar gjithashtu operacione kibernetike dhe fushata psikologjike.

Ekipi i sigurisë kombëtare i Trump pritet të takohet në Shtëpinë e Bardhë më vonë gjatë kësaj të marte për të diskutuar opsionet mbi Iranin, por nuk është e qartë nëse vetë presidenti do të marrë pjesë.

Ndërkohë raportohet se Benjamin Netanyahu po mban një takim të ngjashëm me Këshillin e Sigurisë Kombëtare të Izraelit.

Presidenti amerikan kishte thënë ditët e fundit se ushtria e tij po shqyrtonte "opsione shumë të forta" për të ndërhyrë nëse vriten më shumë protestues. Trump tha se udhëheqësit iranianë e kishin ftuar atë për negociata, por shtoi se SHBA-të "mund të duhet të veprojnë para takimit".

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)