Gaza, Trump fton Vladimir Putin ti bashkohet “Bordit të Paqes”

Përpos ftesës për Shqipërinë, presidenti amerikan i ka dërguar letër kryeministrit indian, presidentit turk, Erdogan por edhe Kazakistanit.

19.01.2026. 13:23

Gaza, Trump fton Vladimir Putin ti bashkohet “Bordit të Paqes”

Presidenti amerikan Donald Trump i ka dërguar një ftesë presidentit rus Vladimir Putin për t’u bërë pjesë e Këshillit Ekzekutiv për Gazën. Organi i ri, i iniciuar nga kreu i Shtëpisë së Bardhë dhe që ndryshe njihet si “Bordi i Paqes”, do të kujdeset për projektin e paqes në Rripin e Gazës.

Lajmi u konfirmua nga zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, i cituar nga agjencia e lajmeve “Tass”. “Aktualisht po shqyrtojmë detajet e kësaj oferte dhe shpresojmë të kontaktojmë me palën amerikane për të sqaruar të gjitha aspektet”, deklaroi Peskov. Ftesa ndaj Putinit vjen në një moment kur Shtetet e Bashkuara po përpiqen paralelisht të ndërmjetësojnë një marrëveshje për t’i dhënë fund edhe luftës në Ukrainë, që vazhdon prej afro katër vitesh.

Mes liderëve botërorë të ftuar nga Trump për t’u bashkuar me “Bordin e Paqes” është edhe kryeministri shqiptar, Edi Rama. Ftesa për të qenë pjesë e iniciativës së re i është dërguar kryeministrit indian, Narendra Modi. Nga Nju Delhi ende nuk ka një përgjigje zyrtare ndaj ftesës.

Një tjetër vend i ftuar nga Trump është edhe Kazakistani. Sipas mediave lokale kazake, presidenti Kassym-Jomart Tokayev ka pranuar të bëhet pjesë e “Bordit të Paqes”, për të dhënë kontribut në mbikëqyrjen e marrëveshjes së armëpushimit në Rripin e Gazës. Ndërkohë, presidenti argjentinas Javier Milei dhe kryeministri kanadez Mark Carney pritet të jenë anëtarë themelues të komitetit për Gazën. Mes liderëve të tjerë të ftuar përmenden edhe presidenti turk Recep Tayyip Erdogan dhe presidenti brazilian Luiz Inácio Lula da Silva.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)