Një sulm i sofistikuar kibernetik ka goditur sistemin e drejtësisë në Brazil, duke ngritur shqetësime serioze për sigurinë digjitale të institucioneve shtetërore. Një grup hakerash ka përdorur kredenciale të lidhura me prokurorët për të hyrë në mënyrë të paligjshme në bazat e të dhënave gjyqësore në Belo Horizonte dhe për të siguruar lirimin mashtrues të disa të burgosurve.
Sipas autoriteteve, katër burra u liruan nga Burgu Gameleira të shtunën e kaluar, pasi në sistemet zyrtare të Këshillit Kombëtar të Drejtësisë u regjistruan urdhra lirimi të rremë. Lirimi u krye pa pengesa, “përmes derës së përparme”, pasi dokumentet digjitale dukeshin të rregullta dhe të vlefshme.
Të liruarit ishin pjesë e një grupi prej nëntë personash të arrestuar më 10 dhjetor, të dyshuar si anëtarë të një rrjeti hakerash dhe mashtruesish të specializuar në manipulimin e dokumenteve gjyqësore. Ironikisht, ata ndodheshin në paraburgim pikërisht për krime që lidhen me ndërhyrje të paligjshme në sisteme dhe falsifikim dokumentesh.
Deri më tani, vetëm një nga të burgosurit e liruar është rikapur nga autoritetet, ndërsa tre të tjerët vazhdojnë të jenë në arrati. Policia ka nisur një operacion të gjerë për lokalizimin e tyre dhe për identifikimin e të gjithë personave të përfshirë në sulm.
Këshilli i Drejtësisë deklaroi se nuk janë konstatuar të meta strukturore në sistemet e saj informatike, duke theksuar se sulmi u realizua përmes përdorimit mashtrues të kredencialeve autentike. Hetimet janë në vazhdim, ndërsa rasti ka rihapur debatin mbi sigurinë kibernetike në institucionet e drejtësisë.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)