Një zjarr i madh ka shkatërruar ndërtesën historike Reikado në ishullin Miyajima, të prefekturës Hiroshima në Japoni.
Ndërtesa Reikado është pjesë e kompleksit budist të tempullit Daishoin dhe njihet për ruajtjen e të ashtuquajturës “flakë e përjetshme”, e cila sipas tempullit ka qenë e ndezur për afro 1,200 vite.
Autoritetet japoneze bënë të ditur se flakët u raportuan mëngjesin e së mërkurës, ndërsa zjarri u vu plotësisht nën kontroll të enjten.
Sipas mediave lokale, përpara se ndërtesa të përfshihej nga flakët, tempulli kishte arritur të zhvendoste në një vend tjetër flakën historike, duke e shpëtuar atë nga shkatërrimi.
Dyshohet se vetë flaka “e përjetshme” mund të ketë qenë shkaku i zjarrit, megjithëse hetimet për incidentin vijojnë ende.
Mediat japoneze raportojnë se kjo nuk është hera e parë që Reikado përfshihet nga flakët. Ndërtesa ishte djegur edhe në vitin 2005, por edhe atëherë flaka historike ishte ruajtur.
Ngjarja ka shkaktuar reagime të shumta në Japoni, pasi tempulli konsiderohet një nga vendet më të rëndësishme shpirtërore dhe historike në rajonin e Hiroshimës.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)