“Covidi i zgjatur” shkakton dëme në tru, efektet të ngjashme me Alzheimerin

Afro 780 milionë persona në mbarë botën janë infektuar nga virusi dhe një pjesë e konsiderueshme vazhdon të raportojë probleme njohëse dhe neurologjike afatgjata.

11.02.2026. 15:08

“Covidi i zgjatur” shkakton dëme në tru, efektet të ngjashme me Alzheimerin

Një studim i ri i realizuar nga një ekip neurologësh të “NYU Langone Health / NYU Grossman School of Medicine” sugjeron se Covidi i zgjatur lidhet me ndryshime cerebrale dhe biologjike, që i ngjajnë mekanizmave tipikë të sëmundjes Alzheimer. Me fjalë të tjera, ai shkakton pasoja të mundshme në funksionet njohëse.

Studimi, i udhëhequr nga neurologët Yulin Ge dhe Thomas Wisniewski dhe i publikuar në revistën “Alzheimer’s & Dementia”, identifikon pleksusin koroid si një strukturë kyçe në lidhjen mes infeksionit të vazhdueshëm nga SARS-CoV-2 dhe rrezikut për procese neurodegjenerative. Pleksusi koroid është ajo pjesë e trurit të njeriut, që prodhon lëngun cerebrospinal, i cili shërben për të mbrojtur shtyllën kurrizore dhe trurin.

Sipas hulumtimit, pacientët me simptoma neurologjike të Covidit të zgjatur kanë një pleksus koroid mesatarisht 10% më të madh krahasuar me personat që janë shëruar plotësisht. Ky zmadhim shoqërohet me ulje të qarkullimit të gjakut në tru dhe përkeqësim të performancës njohëse. Studime të mëparshme kishin treguar se virusi SARS-CoV-2 mund të dëmtojë qelizat që veshin enët e gjakut në këtë strukturë.

Në studim u përfshinë 179 pjesëmarrës: 86 ishin pacientë me Covid të zgjatur neurologjik, 67 persona të shëruar pa pasoja dhe 26 të tjerë nuk ishin infektuar kurrë. Studiuesit përdorën rezonancë magnetike të avancuar, analiza gjaku dhe teste njohëse. U vu re se zmadhimi i pleksusit koroid lidhej me nivele më të larta në gjak të biomarkerëve të lidhur me Alzheimerin, si proteina pTau217. Gjithashtu, u konstatua një rënie mesatare prej 2% në testin mental.

Sipas autorëve, pleksusi koroid i zmadhuar mund të përbëjë një sinjal të hershëm të rënies njohëse të tipit Alzheimer tek pacientët me Covid të zgjatur. Megjithatë, ata theksojnë nevojën për studime afatgjata për të kuptuar nëse këto ndryshime janë shkak apo pasojë e simptomave neurologjike të vazhdueshme, si dhe për të vlerësuar rrezikun e mundshëm për demencë në të ardhmen. Kjo edhe prej faktit se afro 780 milionë persona në mbarë botën janë infektuar nga virusi dhe një pjesë e konsiderueshme vazhdon të raportojë probleme njohëse dhe neurologjike afatgjata.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)