Çfarë është “chroming”, sfida e re virale ku rrjetet sociale kthehen në ruletë ruse

Praktika e përhapur përmes platformave si TikTok dhe Instagram, mund të shkaktojë dëmtime neurologjike, arrest kardiak dhe vdekje të papritur.

17.02.2026. 23:37

Çfarë është “chroming”, sfida e re virale ku rrjetet sociale kthehen në ruletë ruse

Rasti i një fëmije 11-vjeçar që humbi jetën pasi thithi deodorant është vetëm maja e ajsbergut. Vitet e fundit, rrjetet sociale janë shndërruar në skenë të sfidave gjithnjë e më ekstreme, të afta të tërheqin miliona shikime, por edhe të rrezikojnë seriozisht shëndetin. Në shumë raste pasojat për ata që marrin pjesë, kanë qenë fatale.

Ky është një mekanizëm në evoluim të vazhdueshëm dhe i vështirë për t’u ndalur, pavarësisht masave të ndërmarra nga platformat. Më e fundit quhet “chroming”, një praktikë e rrezikshme që ka rikthyer vëmendjen publike te fenomeni i “sfidave” virale. Ajo konsiston në thithjen e substancave kimike që gjenden në produkte të përditshme, si deodorantë, bojëra apo tretës, për të përjetuar efekte të shkurtra euforie.

Praktika e përhapur përmes platformave si TikTok dhe Instagram, mund të shkaktojë dëmtime neurologjike, arrest kardiak dhe vdekje të papritur. Mjekët theksojnë se bëhet fjalë për një tendencë ciklike, e njohur edhe më parë me emra të tjerë, por që sot amplifikohet nga fuqia virale e përmbajtjeve online. Mekanizmi është pothuajse gjithmonë i njëjtë: një video e shkurtër, një hashtag tërheqës dhe premtimi për famë të menjëhershme. Brenda pak orësh, sfida përhapet nga një profil në tjetrin, duke nxitur sidomos adoleshentët të imitojnë sjellje të rrezikshme për të fituar “like” dhe ndjekës.

Ndër sfidat më të diskutuara ka qenë “Blackout Challenge”, e përhapur në TikTok, që i nxiste pjesëmarrësit të shkaktonin humbje të përkohshme ndjenjash përmes vetë-mbytjes. Disa raste të rënda u lidhën me incidente serioze në shtëpi. Edhe më shqetësuese ishte e ashtuquajtura “Blue Ëhale Challenge”, një “lojë” online e pretenduar që supozohej se i shtynte të rinjtë të përmbushnin 50 prova vetë-dëmtuese deri në vetëvrasje.

Në vitin 2018 u përhap gjithashtu “Tide Pod Challenge”, ku të rinj kafshonin kapsula detergjenti shumëngjyrëshe, duke shkaktuar raste helmimesh dhe ndërhyrje mjekësore emergjente. Ekspertët paralajmërojnë se kombinimi i algoritmeve që favorizojnë përmbajtje sensacionale dhe nevoja për miratim social krijon terren pjellor për sfida të rrezikshme. Ndërkohë, autoritetet dhe platformat dixhitale përballen me sfidën e balancimit mes lirisë së shprehjes dhe mbrojtjes së të miturve.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)