Kujtoi se fitoi 500 mijë euro në lotari dhe la të dashurin, për fat të keq bileta ishte humbëse

Ngjarja, e cila bëri bujë në të gjithë Italinë, nisi më 8 mars, kur një burrë i dhuroi partneres së tij një biletë lotarie në vend të luleve për festën e grave.

Burimi: Tgcom

08.04.2026. 20:57

Kujtoi se fitoi 500 mijë euro në lotari dhe la të dashurin, për fat të keq bileta ishte humbëse

Një histori e pazakontë në provincën e L’Aquilas në Itali, ka marrë një kthesë të papritur, pasi një fitore e supozuar prej 500 mijë eurosh në një biletë “Gratta e Vinci” rezultoi të ishte një gabim i thjeshtë leximi.

Ngjarja, e cila bëri bujë në të gjithë Italinë, nisi më 8 mars, kur një burrë i dhuroi partneres së tij një biletë lotarie në vend të luleve për festën e grave. Çifti e gërvishti biletën në një bar dhe besoi se kishte fituar çmimin e madh, pasi numrat përputheshin me ata fitues.

E emocionuar, gruaja festoi fillimisht me partnerin dhe më pas kërkoi konfirmim edhe nga banakieri, i cili gjithashtu bëri të njëjtin gabim. Më pas, ajo vendosi të mbante të gjithë shumën për vete dhe u zhduk, duke lënë pas partnerin, i cili iu drejtua autoriteteve për sqarimin e situatës.

Por pas një muaji, erdhi edhe “dushi i ftohtë”. Gjatë verifikimit, rezultoi se bileta nuk ishte fituese. Një numër “43” ishte lexuar gabimisht si “13”, që ishte edhe numri vendimtar për çmimin e madh.

Sipas procedurës për fitime të mëdha, bileta ishte depozituar për kontroll të detajuar, ku u konstatua se vlera reale e saj ishte zero euro. Pas këtij konfirmimi, çdo pretendim apo konflikt ligjor mes palëve ra automatikisht.

Ndërsa çështja financiare u mbyll, mbetet e paqartë e ardhmja e çiftit, marrëdhënia e të cilit u shkatërrua nga një fitore që në fund rezultoi të mos ekzistonte.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)