Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje dhe kandidati për kryeministër, Albin Kurti, ka reaguar pas publikimit të rezultateve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve deri në ora 22:00, duke falënderuar qytetarët për pjesëmarrjen në votim dhe angazhimin gjatë fushatës zgjedhore, të cilën e cilësoi si një fitore madhështore.
“Më lejoni të shpreh mirënjohjen time të thellë dhe falënderimin e jashtëzakonshëm gjithandej vendit tonë. Një falënderim për mijëra vullnetarë, simpatizantë e aktivistë që organizuan fushatën dhe ishin krahu ynë i fortë në këtë fitore madhështore”, deklaroi Kurti.
Ai tha se kjo fitore është historike për Kosovën, duke theksuar se ajo i takon qytetarëve dhe Republikës. “Me 9 shkurt sivjet fitoi LVV me partnerët, me 28 dhjetor 2025 fitoi populli i Kosovës dhe Republika. Urime fitorja më e madhe në historinë e vendit. Fitoren historike që është në rrugë të mbarë të tejkalojë edhe 14 shkurtin e 2021.”
Kurti theksoi se pas certifikimit të rezultateve duhet të nisë menjëherë procesi i krijimit të institucioneve të reja, pa vonesa.
“Sa më parë që të certifikohen rezultatet, aq më shpejt duhet t’i krijojmë institucionet dhe të vazhdojmë me punë të mirë dhe projektet e nevojshme. Në Kuvendin e legjislaturës së 10-të po na pret plani i rrjetës së BE-së në vlerë 880 milionë euro”, tha ai.
Kreu i LVV-së ftoi partitë opozitare për bashkëpunim në Kuvend, veçanërisht për marrëveshjet ndërkombëtare dhe ligjet në interes të qytetarëve.
“Ftoj partitë opozitare për bashkëpunim në Kuvend për marrëveshjet ndërkombëtare, për ligje të mira dhe për interesin publik të qytetarëve. Së pari duhet të presim certifikimin e rezultateve, pastaj menjëherë të konstituohet Kuvendi dhe më pas të bëhet Qeveria. Jam i interesuar të bashkëpunoj me opozitën menjëherë për ato që na kanë mbetur pa miratuar, pra tri marrëveshjet, për të cilat na duhet shumicë.”
Ai shtoi se “bllokadat janë të pamundshme”, ndërsa sa i përket çështjes së presidentit, Kurti theksoi se do të zhvillojë bisedime fillimisht me Vjosa Osmanin, e më pas edhe me opozitën.
“Për çështjen e presidentit do të ulemi dhe do të bisedojmë, së pari me presidenten Vjosa Osmani, e pastaj me opozitën”, përfundoi Kurti.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)