Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka deklaruar se në Hagë nuk po gjykohen vetëm ish-krerët e UÇK-së, por sipas saj, edhe vetë proceset jetike të Kosovës liria dhe pavarësia e vendit.
Gjatë fjalës së mbajtur në promovimin e librit të Ahmet Shalës në Prishtinë, Osmani foli për rëndësinë historike të lirisë së Kosovës dhe sakrificën e brezave që udhëhoqën luftën çlirimtare, duke theksuar se shteti i Kosovës është rezultat i një përpjekjeje të gjatë dhe të dhimbshme.
“Sot në botë ka ende dhjetëra kombe që nuk e kanë arritur shtetin e tyre, madje për nga numri janë më të mëdhenj se populli i Kosovës, por janë të okupuar, të shtypur dhe në kërkim të lirisë dhe shtetit”, u shpreh ajo.
Presidentja kujtoi edhe vlerësimin e shkrimtarit të madh shqiptar, Ismail Kadare, i cili shtetin e Kosovës e kishte quajtur “triumf të lirisë dhe të gjithë kombit shqiptar”.
“Ky triumf u bë i mundur sepse në kohët më të errëta, Kosova pati bij e bija që udhëhoqën luftën tonë çlirimtare dhe i dolën zot atdheut, duke dëshmuar se liria ishte më e shtrenjtë se vetë jeta”, tha Osmani.
Ajo theksoi se historia e luftës çlirimtare duhet të mbrohet dhe të shkruhet me krenari, duke e cilësuar UÇK-në si “idealin më të fuqishëm të ndërtuar nga shqiptarët ndër shekuj”.
Duke folur për librin “Kur heshtja flet” të autorit Ahmet Shala, Osmani tha se vepra trajton jo vetëm luftën, por edhe proceset gjyqësore që po zhvillohen në Hagë. Sipas saj ky rrëfim, i ndërthurur me detajet nga takimet me katër ish-krerët e UÇK-së në qelitë e Hagës, rikthen kujtesën koltektive të Kosovës dhe i çon një mesazh të fuqishëm ndërkombëtar.
“Ky libër flet jo vetëm për luftën tonë, por edhe për gjykimin e padrejtë që po bëhet ndaj proceseve tona jetike, ndaj lirisë dhe pavarësisë sonë dhe përpjekjeve për çlirim që u ndërmorën në shërbim të lirisë dhe mbijetesës së popullit tonë”, deklaroi Presidentja.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)