Me një thirrje për bashkim pavarësisht ndasive politike, përballë gjykimit të padrejtë sipas saj të ish-krerëve të UÇK-së në Hagë, Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani nga foltorja e Kuvendit hapi seancën solemne për të shënuar 18-vjetorin e Pavarësisë së Kosovës.
Osmani u kujdes të rendisë të gjithë ata e bënë Kosovën të pavarur, nga Presidenti historik Ibrahim Rugova, tek komandanti legjendar Adem Jashari e deri tek 4 krerët e UÇK-së që ndodhen sot në Hagë, për të treguar se çfarë sakrifice ka bërë ky popull për të gëzuar lirinë.
“Pavarësia e Kosovës u fitua me mund, me gjak dhe sakrificë e durim shekullor. Ajo u ndërtua nga ata që asnjëherë nuk u nënshtruan. Në themelet e shtetit tonë qëndron vizioni i arkitektit të Pavarësisë së Republikës tonë, Ibrahim Rugova. Ai udhëhoqi Kosovën në kohët më të rënda duke i dhënë kauzës tonë legjitimitet përballë ndërkombëtarëve dhe shpresë brenda vendit. Liria jonë mban emrin e komandantit legjendar Adem Jashari dhe të gjithë burrave dhe grave që luftuan në UÇK. Kjo luftë ishte gjithnjë e drejtë, gjithnjë e pastër dhe gjithnjë e domosdoshme”, tha Osmani.
Sipas Kryetares së Shtetit çdo përpjekje për të njollosur dhe barazuar viktimën me agresorin, është jo vetëm e padrejtë por e pranueshme. Osmani nënvizoi se përballë baltës që po hidhet ndaj luftës së Kosovës për liri, të gjithë duhet të bashkohen për ta mbrojtur sakrificën shekullore.
“Krerët e UÇK-së që ndodhen sot në Hagë së bashku me mijëra luftëtarë të tjerë, u ngritën për liri dhe dinjitet e për të jetuar të lirë në vendin e tyre. Çdo përpjekje për të barazuar luftën tonë çlirimtare me regjimin gjenocidal të Serbisë e njollos atë. Sot më shumë se kurrë e kemi për detyrë të qëndrojmë së bashku. Asnjë dallim i yni i, i së kaluarës apo të tashmes nuk mund te jetë pengesë në mbrojtjen tonë për luftën çlirimtare. Sepse mbi çdo dallim ekziston përgjegjësia jonë e përbashkët për ta mbrojtur këtë shtet që është rezultat i një sakrifice shekullore. Lufta jonë çlirimtare ishte betimi i përgjakur i një populli që deshi të jetojë i lirë në tokën e vetë. Kosova u bë shtet për ta mbrojtur të vërtetën dhe për të mos lejuar kurrë që historia të rishkruhet në dëm të atyre që sakrifikuan gjithçka dhe populli i Kosovës sakrifikoi gjithçka. Ndaj nuk do ta pranojmë asnjëherë ndonjë narrativë që barazon viktimën me agresorin. Rroftë Republika e Kosovës për mot e jetë”, u shpreh Presidentja.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)