Komisioni Evropian pritet të miratojë në ditët në vijim pagesën e parë të rregullt të mjeteve financiare për Serbinë në kuadër të Planit të Rritjes për Ballkanin Perëndimor. Burime të besueshme nga Brukseli i kanë konfirmuar Radio Evropa e Lirë se kjo pagesë do të jetë në vlerë prej 61 milionë eurosh.
Serbia kishte përfituar më herët mjete në formë parafinancimi, ndërsa kësti i parë i rregullt fillimisht ishte paraparë të arrinte në 112 milionë euro. Megjithatë, për shkak se Beogradi ka përmbushur vetëm tri nga shtatë reformat e kërkuara në këtë fazë, Komisioni Evropian ka vendosur ta reduktojë shumën. Pjesa e mbetur e fondeve do të lirohet vetëm pasi Serbia të realizojë edhe obligimet e tjera reformuese.
Sipas vlerësimeve të BE-së, Serbia aktualisht renditet e fundit mes vendeve të rajonit për sa i përket përmbushjes së kushteve dhe harmonizimit me standardet evropiane. Ndërkohë, Shqipëria, Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut e kanë marrë pagesën e parë që në tetor të vitit të kaluar.
Kosova dhe Bosnje e Hercegovina ende nuk kanë përfituar mjete nga ky plan. Në rastin e Kosovës, pengesë mbetet mosmiratimi i marrëveshjeve të kredisë për shkak të krizës institucionale, ndërsa Bosnja po pret hyrjen në fuqi të marrëveshjeve përkatëse.
Plani i Rritjes për Ballkanin Perëndimor, me vlerë totale 6 miliardë euro, konsiderohet paketa më ambicioze financiare e BE-së për rajonin dhe synon përshpejtimin e reformave dhe integrimit evropian.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)