Komisioni Evropian ka përsëritur kërkesën ndaj autoriteteve të Serbisë për të zhvilluar një hetim të shpejtë, transparent dhe të besueshëm lidhur me pretendimet se gjatë protestës antiqeveritare të 15 marsit 2025 në Beograd u përdor një pajisje zanore, e njohur si “top zanor”.
Në një deklaratë zyrtare, shërbimi për shtyp i Komisionit Evropian theksoi se është në dijeni të raporteve shqetësuese dhe rikujtoi se, sipas standardeve evropiane për të drejtat e njeriut, autoritetet kanë detyrimin të mbrojnë pjesëmarrësit në tubime nga dhuna dhe lëndimet.
Çështja u rikthye në vëmendje pasi portali Politico raportoi se shërbimet sekrete serbe, në bashkëpunim me Shërbimin Federal të Sigurisë së Rusisë, kanë kryer teste të pajisjeve zanore.
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, duke iu referuar një raporti të FSB-së, deklaroi se gjatë protestës nuk ishte përdorur armë e ndaluar dhe se testimet nuk kishin treguar pasoja mbi objektet biologjike.
Autoritetet serbe kanë mohuar vazhdimisht përdorimin e topit zanor, ndonëse kanë pranuar se policia posedon pajisje sonike, duke këmbëngulur se ato nuk janë përdorur. Paralelisht, hetime për incidentin po zhvillohen edhe nga Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)