Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump ka bërë disa deklarata të forta lidhur me Iranin, duke pretenduar se SHBA-të janë duke e fituar “qartësisht” këtë luftë dhe se bllokada në Ngushticën e Hormuzit po i shkakton humbje të mëdha ekonomike Teheranit.
Në një postim në rrjetin e tij Truth Social, Trump kritikoi mediat amerikane si The New York Times, The Wall Street Journal dhe The Washington Post, duke i akuzuar se raportojnë në mënyrë të njëanshme dhe krijojnë përshtypjen se SHBA po humbet konfliktin.
Sipas tij, Irani është në vështirësi të mëdha, me humbje që arrijnë deri në 500 milionë dollarë në ditë, ndërsa pretendoi se kapacitetet ushtarake iraniane janë dobësuar ndjeshëm.
Trump deklaroi gjithashtu se një marrëveshje e re me Iranin është në proces dhe do të jetë “shumë më e mirë” se marrëveshja bërthamore e vitit 2015, e njohur si JCPOA, e negociuar gjatë administratës së Barack Obama. Ai e kritikoi këtë marrëveshje si të rrezikshme për sigurinë, duke pretenduar se mund të kishte çuar në zhvillimin e armëve bërthamore nga Irani.
Sipas raportimeve të CNN, administrata Trump po shqyrton mundësinë e zhbllokimit të rreth 20 miliardë dollarëve asete iraniane, shumë më e lartë se fondet e liruara më parë.
Trump theksoi se nuk është nën presion për të arritur një marrëveshje, por paralajmëroi se ajo mund të vijë “shumë shpejt”, ndërsa akuzoi demokratët si pengues të politikave të tij ndaj Iranit.
Nga ana tjetër, presidenti iranian Masoud Pezeshkian reagoi duke deklaruar se SHBA kërkon “dorëzimin” e Iranit, por theksoi se vendi i tij nuk do të dorëzohet dhe do të vazhdojë të mbrojë sovranitetin e tij.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)