Shkatërrohet grupi i lidhur me Iranin në Emiratet Arabe, po organizonte sulme

Sipas hetimeve, grupi dyshohet se ka mbledhur fonde dhe i ka transferuar ato drejt subjekteve të dyshimta jashtë vendit, si dhe ka përhapur ideologji ekstremiste.

Burimi: Al Jazeera

20.04.2026. 22:00

Shkatërrohet grupi i lidhur me Iranin në Emiratet Arabe, po organizonte sulme

Autoritetet në Emiratet e Bashkuara Arabe kanë njoftuar arrestimin e 27 personave të dyshuar si pjesë e një grupi të lidhur me Iranin, të cilët akuzohen për planifikimin e akteve terroriste dhe të sabotazhit në territorin e vendit.

Sipas një deklarate të Shërbimit të Sigurisë Shtetërore, të publikuar në rrjetet sociale, të arrestuarit dyshohet se janë pjesë e një celule që ndjek doktrinën “Velayat-e Faqih”, e lidhur me sistemin politik dhe fetar të Iranit pas revolucionit të vitit 1979.

Autoritetet publikuan gjithashtu emrat dhe fotografitë e të dyshuarve, duke bërë të ditur se ata përballen me akuza për krijimin e një organizate të fshehtë, besnikëri ndaj entiteteve të huaja dhe cenim të stabilitetit social.

Sipas hetimeve, grupi dyshohet se ka mbledhur fonde dhe i ka transferuar ato drejt subjekteve të dyshimta jashtë vendit, si dhe ka përhapur ideologji ekstremiste. Ata akuzohen gjithashtu për rekrutim të fshehtë, indoktrinim të të rinjve dhe zhvillim takimesh me organizata të dyshimta brenda dhe jashtë Emirateve.

Autoritetet pretendojnë se qëllimi i grupit ishte të përhapte ide destabilizuese, të ndikonte te të rinjtë dhe të nxiste kundërshtime ndaj politikave të brendshme dhe të jashtme të vendit.

Këto arrestime vijnë në një kohë tensionesh të larta në rajon, në sfondin e përplasjes mes SHBA-së, Izraelit dhe Iranit. Emiratet kanë qenë ndër vendet më të prekura nga sulmet e fundit iraniane, të cilat kanë shënjestruar si objektiva ushtarake amerikane, ashtu edhe infrastrukturë civile.

Më herët, autoritetet kishin njoftuar edhe arrestimin e disa personave të tjerë të lidhur me rrjete të dyshuara që përfshinin edhe elementë të Hezbollah.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)