Një hetim i Prokurorisë së Milanos ka zbuluar një rrjet të paligjshëm të lidhur me organizimin e eventeve në jetën e natës në Milano, ku dyshohet se ofroheshin shërbime eskorte për klientë të pasur, përfshirë edhe futbollistë të Serie A.
Si rezultat i operacionit, 4 persona janë vendosur në arrest shtëpie, ndërsa autoritetet kanë kryer kontrolle të shumta në disa lokacione.
Hetimi është drejtuar nga prokuroria dhe është realizuar nga Guardia di Finanza, e cila ka sekuestruar mbi 1.2 milionë euro, që dyshohet se janë përfituar nga aktiviteti i paligjshëm.
Sipas hetimeve, aktiviteti fshihej pas një kompanie që organizonte evente në klube të njohura të qytetit. Në këto mbrëmje, përveç argëtimit, dyshohet se ofrohej edhe një “paketë” që përfshinte lokal, hotel dhe shërbime eskorte.
Prokuroria thotë se vajzat e përfshira ishin shumë të reja, disa prej tyre sapo kishin mbushur 18 vjeç. Ato rekrutoheshin për të marrë pjesë në evente dhe për të ofruar shërbime ndaj klientëve që paguanin shuma të mëdha.
Gjithashtu, në disa raste dyshohet se gjatë festave përdorej edhe gaz i ashtuquajtur “i të qeshurës”, një substancë që krijon eufori dhe që nuk zbulohet lehtësisht në kontrollet për doping tek atletët.
Autoritetet kanë zbuluar se të ardhurat e të dyshuarve nuk përputheshin me deklarimet e tyre zyrtare dhe dyshohet se vinin kryesisht nga ky aktivitet. Hetimet vijojnë për të zbardhur plotësisht rrjetin dhe personat e përfshirë.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)