Dëshira e Turqisë për t'u përfshirë në programin SAFE të Bashkimit Evropian u përsërit nga Presidenti Rexhep Taip Erdogan, teksa foli me gazetarët pas kthimit të tij nga Etiopia.
Lideri turk i bëri thirrje Unionit të çlirohet nga "agjendat e ngushta që janë të papajtueshme me epokën e transformimit të shpejtë".
"Për vite me radhë, ne kemi shpjeguar në çdo platformë se vendi ynë do të japë shumë kontribute pozitive në Bashkimin Evropian. Është koha e duhur që Evropa ta përfshijë Turqinë në mekanizmat ekzistues të mbrojtjes dhe sigurisë. Bota po ndryshon, edhe për sa kohë mund të mbetet Bashkimi Evropian rob i agjendave të ngushta në këtë epokë transformimi të shpejtë? Është e pamundur të kuptohet", tha Erdogan.
Erdogan u bë më i drejtpërdrejtë në vijim, teksa theksoi se mundësia më e mirë është të hiqen pengesat ideologjike për integrimin e Turqisë në Evropë dhe të forcohet fuqia e BE-së.
“Ata tani duhet të pranojnë se qëndrimet që përjashtojnë Turqinë dhe injorojnë realitetet globale nuk janë aspak logjike. Krijimi i një arkitekture të re mbrojtëse në Evropë… Nëse ky është qëllimi i tyre, është e qartë se krijimi i saj pa Turqinë do të jetë një përpjekje e pamjaftueshme. Ushtria turke është sot një nga ushtritë më të mëdha dhe më efektive në NATO. Ne kemi besim të plotë në ushtrinë tonë. Falë kësaj, ne jemi një vend që jo vetëm flet në tryezën e negociatave, por edhe demonstron aftësitë e tij në terren”, nënvizoi Presidenti turk.
Erdogan u kujdes po ashtu të thoshte se shpreson “që të gjithë tani e kanë kuptuar se pa Turqinë, Evropa nuk mund të ndërtojë një ekuacion të fortë sigurie”.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)