Një tentativë për sulm me eksploziv ndaj infrastrukturës kritike të gazit mes Serbisë dhe Hungarisë është parandaluar nga autoritetet serbe, pasi në zonën e komunës së Kanjizhës u zbuluan dy çanta shpine të mbushura me lëndë shpërthyese pranë gazsjellësit serbo-hungarez.
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, deklaroi se njësitë e ushtrisë dhe policisë, gjatë kontrollit të terrenit në afërsi të fshatit Treshnjevac, zbuluan eksplozivë me fuqi të lartë shkatërruese, të pajisur edhe me mekanizmat e nevojshëm për aktivizim.
Sipas tij, dëmtimi i këtij segmenti të gazsjellësit do të kishte pasoja serioze për furnizimin me gaz si për Serbinë, ashtu edhe për Hungarinë.
“Njësitë tona gjetën dy çanta shpine me eksplozivë me fuqi shkatërruese dhe shkopinjtë e nevojshëm për t’i aktivizuar ato. Gjatë hetimit kemi edhe disa të dhëna të tjera. Fola me Viktor Orban për këtë lajm, sepse nëse do të kishte ndërprerje të gazit, Hungaria nuk do të kishte gaz dhe ne në veri të Serbisë nuk do të kishim gaz”, tha Vuçiç.
Ai theksoi se operacioni për kontrollin e zonës ka qenë i gjerë dhe kompleks, duke përfshirë edhe njësitë ajrore.
“Ka një zonë të madhe, ka edhe një liqen të madh, kështu që ata kërkuan për një kohë të gjatë, dhe njësitë e helikopterëve ndihmuan shumë. Por është e qartë se bota, domethënë lojërat gjeopolitike, nuk do të na lënë vetëm, dhe për këtë arsye duhet të tregojmë nivelin më të lartë të aftësisë luftarake.”
Vuçiç paralajmëroi reagim të ashpër ndaj çdo kërcënimi ndaj infrastrukturës jetike të Serbisë, duke thënë: “Nuk do të kemi mëshirë për këdo që mendon se po rrezikon infrastrukturën jetësore të Republikës së Serbisë. S’ka mëshirë.”
Ai shtoi se ende nuk është e qartë nëse objektivi i sulmit ishte Serbia, Hungaria apo të dyja vendet njëkohësisht.
“Nuk jam i sigurt nëse qëllimi ishte të bëhej diçka kundër Hungarisë dhe që Serbia të ishte dëm kolateral, apo nëse qëllimi ishte të bëhej diçka ekskluzivisht kundër Serbisë ose ndoshta kundër të dy vendeve në të njëjtën kohë”, tha ai.
Presidenti serb bëri të ditur se hetimet janë në vijim dhe se rasti pritet të kualifikohet nga prokuroria kompetente, ndërsa siguria në zonë është rritur ndjeshëm.
“Po presim prokurorët, do të presim që prokurori të japë kualifikimin. Mendoj se Zyra e Prokurorit të Lartë në Suboticë është përgjegjëse për këtë”, shtoi ai.
Autoritetet serbe ndërkohë kanë angazhuar mbi 130 pjesëtarë të ushtrisë dhe policisë në terren, duke bllokuar disa rrugë dhe duke kryer kontrolle të detajuara në zonën e Kanjizhës, ndërsa operacioni vijon për të garantuar eliminimin e çdo rreziku të mundshëm.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)