Tre muaj pas ndarjes nga jeta të vëllait të tij Elidion Kelmendi, në një aksident tragjik në Pejë, këngëtari Besrt Kelmendi, i njohur me emrin e artit Gjesti, i është rikthyer postimeve në rrjetet sociale, përmes një reagimi ku falenderon fansat për mbështetjen që i kanë dhënë atij dhe familjes në këtë periudhë të vështirë.
“Përshëndetje të gjithëve, shpresoj të jeni mirë. Ka kaluar kohë që nuk jam shfaqur. Ju falënderoj nga zemra që më keni qëndruar pranë mua dhe familjes sime në këtë periudhë të vështirë”, shkruan këngëtari, i cili po ashtu triumfoi në Big Brother-in e organizuar në Shqipëri gjatë vitit të kaluar.
Gjesti nënvizon se ka qenë e rëndësishme për të që të qëndrojë larg rrjeteve sociale për disa kohë, duke u përqëndruar tek familja dhe vetja. Ai shprehet ndër të tjera se në janar të vitit 2026 do t’i rikthehet muzikës, duke e cilësuar atë si vendin ku i përket.
“Ishte e rëndësishme për mua të rrija larg rrjeteve sociale dhe të merresha me veten dhe familjen. Ju kam pasur gjithmonë në mendje dhe në zemër, ashtu siç më keni pasur edhe ju mua. Ju uroj të gjithëve Vitin e Ri, me shëndet, lumturi dhe familje. Të tjerat vijnë vetë. Dua t’ju bëj me dije se në janar të vitit 2026 i rikthehem muzikës, aty ku e kam vendin. Ju dua dhe ju falënderoj shumë”, shprehet Gjesti.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)