AKU bllokon 5 ton djathë dhe 944 kilogramë fileto pule

Kontrollet e fundit të Autoritetit Kombëtar të Ushqimit kanë zbuluar shkelje të rënda në tregun ushqimor, ku janë bllokuar tonelata djathë dhe mish pule për mungesë etiketimi në shqip.

24.12.2025. 19:25

AKU bllokon 5 ton djathë dhe 944 kilogramë fileto pule

Autoriteti Kombëtar i Ushqimit ka intensifikuar kontrollet në treg, duke evidentuar sërish problematika serioze në sektorin e sigurisë ushqimore. Gjatë inspektimeve të fundit të zhvilluara nga Drejtoria Rajonale e AKU-së në Tiranë, u konstatuan shkelje ligjore në një subjekt që tregtonte produkte ushqimore të importuara.

Si pasojë, inspektorët bllokuan rreth 5 ton djathë të llojit “Gouda” dhe 944 kilogramë fileto pule, pasi këto produkte rezultuan pa kundraetiketë në gjuhën shqipe, në kundërshtim me legjislacionin në fuqi. Subjekti është ndëshkuar me masë administrative, ndërsa mallrat do të mbeten të bllokuara deri në plotësimin e dokumentacionit dhe etiketimin korrekt.

Në reagimin e saj zyrtar, AKU thekson se kontrollet do të vijojnë në mënyrë rigoroze në të gjithë zinxhirin ushqimor, me synim garantimin e zbatimit të ligjit dhe informimin e saktë të konsumatorëve, duke mbrojtur shëndetin publik.

Ky nuk është rasti i parë problematik. Vetëm gjatë këtij muaji janë bllokuar ngarkesa me misër nga Serbia për shkak të pranisë së Aflatoksinës B1, ndërsa më herët janë evidentuar produkte të tjera të importuara me pesticide apo baktere të rrezikshme. Fenomen i përsëritur mbetet edhe mishi i pulës me salmonelë, që ka shkaktuar raste helmimesh në disa qytete.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)