Burgu i Durrësit mbetet nën ujë, aksesohet me gomone

Përmbytjet kanë goditur rëndë Durrësin, aq sa edhe në burgun e qytetit mëngjesin e sotëm punonjësit janë shfaqur duke kryer shërbimet e nevojshme përmes përdorimit të një gomoneje.

07.01.2026. 11:19

Burgu i Durrësit mbetet nën ujë, aksesohet me gomone

Durrësi është qyteti i goditur më rëndë nga moti i keq, teksa qindra shtëpi janë përmbytur, kryesisht në zonën e ish-Kënetës, aty ku dhjetëra familje kanë kaluar natën nën ujë.

Situatës së rënduar nuk i ka shpëtuar as paraburgimi i Durrësit, i cilësuar shpesh si burgu i VIP-ave, për shkak se aty janë dërguar politikanët e hetuar nga SPAK.

Ditën e djeshme 8 qelitë e katit të parë në këtë institucion të vuajtjes së dënimit u përmbytën plotësisht dhe të burgosurit, mes të cilëve ish-kryebashkiaku i Tiranës Erion Veliaj dhe ish-ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqja u zhvendosën në katet e mësipërme.

Pavarësisht vizitës së ministrit të Drejtësisë, Besfort Lamallari, i cili inspektoi ambientet e burgut i veshur me mushama dhe çizme, duke thënë më pas për mediat se janë marrë masat për normalizimin e gjendjes, edhe sot situata paraqitet e rënduar.

Pamjet tregojnë se disa shërbime në burgun e Durrësit po ofrohen përmes gomoneve,  pasi oborri dhe kati i parë i godinës kanë prani të lartë uji.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)