New York Times ironi ministres shqiptare: U krijua kundër korrupsionit, por konceptuesit e saj akuzohen për korrupsion

New York Times e përshkruan “Diellën”, ministren virtuale të Shqipërisë, si një simbol paradoksal të luftës kundër korrupsionit, në një realitet ku institucionet që e krijuan dhe e menaxhojnë atë janë vetë nën hetim penal për abuzime.

Burimi: New York Times

27.01.2026. 17:35

New York Times ironi ministres shqiptare: U krijua kundër korrupsionit, por konceptuesit e saj akuzohen për korrupsion

Gazeta prestigjioze amerikane New York Times i ka kushtuar një artikull të detajuar situatës së korrupsionit në Shqipëri, duke e fokusuar analizën te një paradoks simbolik: promovimi i teknologjisë si mjet kundër korrupsionit, në një kohë kur institucionet që e administrojnë atë janë vetë nën hetim penal.

Në qendër të artikullit qëndron “Diella”, avatarja e krijuar nga inteligjenca artificiale dhe e prezantuar nga qeveria shqiptare si “ministrja e parë AI në botë”.

Sipas New York Times, Diella është shndërruar në një simbol të ambicies së Shqipërisë për modernizim, transparencë dhe përafrim me standardet e Bashkimit Evropian. Ajo përdoret për të ndihmuar qytetarët në shërbime publike online dhe parashikohet të përfshihet edhe në proceset e prokurimit, me synimin për të reduktuar ndërhyrjen njerëzore.

Megjithatë, gazeta thekson kontrastin e fortë mes kësaj narrative dhe realitetit institucional. Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit (AKSHI), institucioni që menaxhon sistemet digjitale shtetërore dhe vetë Diellën, është përfshirë në një hetim penal nga SPAK, ku drejtues të saj dyshohen për manipulim tenderësh publikë dhe janë vendosur nën masa sigurie.

New York Times vë në dukje se, ndonëse Diella promovohet nga Kryeministri Edi Rama edhe në forume ndërkombëtare si shembull i modernizimit të administratës, nuk ekziston një mekanizëm konkret për të matur ndikimin real të saj në uljen e korrupsionit.

Sistemi, sipas gazetës, është ndërtuar për parandalim dhe jo për zbulimin e shkeljeve, duke e bërë të vështirë verifikimin e pretendimeve qeveritare.

Artikulli e vendos këtë zhvillim në kontekstin e hetimeve të vazhdueshme të SPAK ndaj figurave të larta politike dhe raporteve të BE-së, të cilat konstatojnë se korrupsioni mbetet i përhapur në Shqipëri.

Në përfundim, Diella paraqitet si një metaforë e përpjekjeve të shtetit shqiptar për të projektuar imazhin e reformës, ndërsa realiteti vazhdon të sfidojë këtë narrativë.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)