Transferimi i Kadastrës së Vlorës në Tiranë, Rama: Shërbimi do jetë digjital, do zhvendosen edhe drejtori të tjera

Kryeministri Edi Rama tha në podcastin e tij "FLASIM" se transferimi i Kadastrës së Vlorës në Tiranë u krye për shkak se shërbimet e ASHK-së do të digjitalizohen dhe çdo veprim nga qytetarët do të mund të kryhet online, pa pagesë dhe pa ecejake në zyrat e shtetit si në 30 vitet e fundit.

01.02.2026. 10:42

Transferimi i Kadastrës së Vlorës në Tiranë, Rama: Shërbimi do jetë digjital, do zhvendosen edhe drejtori të tjera

Zhvendosja e Kadastrës së Vlorës në Tiranë dhe akuzat ndaj qeverisë që e pasuan këtë vendim, u komentuan nga kryeministri Edi Rama në podkastin e tij “FLASIM”.

Duke nënvizuar se kjo zhvendosje nuk cenon shërbimin ndaj qytetarëve, Rama shpjegoi se edhe drejtori të tjera të ASHK-së, do të transferohen në kryeqytet, pasi kjo është procedurë që finalizon digjitalizimin e insititucionit të Kadastrës.

Kreu i ekzekutivit sqaroi se ky është synimi i qeverisë, i cili do të lehtësojë sipas Ramës edhe xhepat e qytetarëve, pasi në vijim do të mund të aplikojnë online pa pasur nevojë të enden zyrave të shtetit siç ka ndodhur prej më shumë se 30 vitesh.

Dy fjalë për zhvendosjen e zyrës së Kadastrës së Vlorës në Tiranë. Dhe janë dy fjalë që duhen thënë, sepse edhe një herë tjetër u ngatërrua qëllimisht ose më falni idiotësisht, adresa fizike e zyrës me shërbimin për qytetarët. Agjencia Shtetërore e Kadastrës, ka kaluar prej kohësh nga një model shërbimi primitiv me sportele, radha, ecejake, zvarritje etj, etj, në një model shërbimesh online, ende i pambyllur plotësisht në të gjithë ciklin e vet, por gjithsesi përmes platformës, e-Albania, ky model mundëson që shumica e procedurave kadastrale, nuk kanë nevojë për paraqitjen fizikisht në një sportel të qytetarit. Kartela pasurie, vërtetime, regjistrime aktesh, kontratash, rivlerësime, të gjithë aplikohen dhe ndiqen online nga kudo, ku ndodhet qytetari, edhe nga Amerika.

Tani, gjithë kjo zhurmë dhe ky tension që u ndje në atë lëvizje, lidhet, jo vetëm me një perceptim të gabuar apo edhe informim të mangët, por edhe me një mendësi, e cila duhet përmbysur dhe duhet përmbysur, duke pasur parasysh që e nesërmja e afërt, jo e largët e Kadastrës, është një shërbim si plot shërbime të tjera, pa sportele, pa godina fizike të shpërndara në territor, por me akses në çdo shërbim, si një e drejtë themelore dhe një e drejtë që merret përmes celularit, që merret përmes kompjuterit më të afërt dhe që nuk ka asnjë lidhje me vendodhjen e zyrës.

Ky, nuk është i pari si veprim për zhvendosjen e një drejtorie vendore në qendër dhe nuk është as i fundit. Të tjera drejtori do të zhvendosen dhe ndërkohë, ajo që po punojmë për ditë pa pushim është që të sigurojmë mbylljen e ciklit, pra, jo më aplikim online dhe pastaj marrje mbrapsht të shërbimit me postë, por aplikim online dhe marrja e shërbimit menjëherë po aty online”, tha Rama.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)