Heqja e çdo ndërtimi, objekti, tabele reklame, depozitimi materiali, brenda kufirit rrugor, zonës rrugore, brezit të rezervuar dhe hapësirave të nevojshme për fushëpamje e siguri rrugore, në segmentet rrugore kombëtare po evidentohen dhe do të hiqen.
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Skënder Hita ka zhvilluar takim pune me kreun e ARRSH-së, Ami Kozeli, lidhur me aksionin e përbashkët që do të nisë për lrimin e brezit të sigurisë në akset rrugore.
Në takim morën pjesë edhe grupet e përbashkëta të punës, me qëllim nisjen e punës për marrjen e masave për lirimin e brezit të sigurisë në akset rrugore, duke qenë se javën e ardhshme do të nisë aksioni për lirimin e hapësirave në anë të rrugëve kombëtare dhe krijimin e korridoreve të gjelbra.
Drejtuesit Hita dhe Kozeli theksuan rëndësinë e këtij operacioni mbarëkombëtar, për finalizimin e të cilit nevojitet koordinim mes strukturave për marrjen e përgjegjësive dhe kryerjen e detyrave respektive.
Drejtor Hita theksoi se Policia e Shtetit është e angazhuar maksimalisht për të përmbushur këtë detyrë dhe kërkoi nga Departamenti i Sigurisë që strukturat e tij të jenë në mbështetje të plotë të ARRSH-së dhe krahas lirimit të hapësirave, të vijohet edhe me ndëshkimin e shtetasve përgjegjës, me masa administrative dhe penale.
Kozeli nga ana e tij, bëri me dije se Drejtoritë Rajonale të ARRSH-së kanë nisur punën për njoftimin e të gjitha bizneseve, që me qëllim lirimin e hapësirave të zëna në mënyrë të paligjshme, të marrin masa për heqjen e çdo objekti nga këto hapësira dhe për ndalimin e përdorimit të paligjshëm të hapësirave brenda kufirit rrugor, zonës rrugore, brezit të rezervuar dhe hapësirave të nevojshme për fushëpamje e siguri rrugore, në segmentet rrugore kombëtare në administrimin e Autoritetit Rrugor Shqiptar.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)