Siguria rajonale në Ballkan, presidenti Begaj takon shefin e ushtrisë italiane

Rritet bashkëpunimi për mbrojtjen, është theksuar rëndësia e misionit të KFOR-it në Kosovë, i cili mbetet një faktor kyç për sigurinë dhe paqen në rajon.

10.04.2026. 15:38

Siguria rajonale në Ballkan, presidenti Begaj takon shefin e ushtrisë italiane

Presidenti i Republikës, Bajram Begaj ka pritur në Tiranë kreun e Forcave të Armatosura të Italisë, gjeneralin Luciano Portolano. Takimi ishte i fokusuar te zgjerimi i bashkëpunimit mes dy vendeve në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë.

Gjatë bisedës, u diskutua mbi forcimin e partneritetit strategjik Shqipëri-Itali, ku të dyja palët vlerësuan bashkëpunimin ekzistues dhe mundësitë për rritjen e kapaciteteve ushtarake dhe trajnimeve të përbashkëta. Presidenti Begaj theksoi se ky bashkëpunim mbetet një shtyllë e rëndësishme për stabilitetin rajonal.

“Qëndrojmë të bashkuar për stabilitetin në rajon”, është shprehur Begaj, duke nënvizuar rolin e Italisë si një nga partnerët kryesorë të Shqipërisë në proceset e integrimit dhe modernizimit të Forcave të Armatosura. Në fokus të diskutimeve ka qenë edhe angazhimi i përbashkët në misione ndërkombëtare.

Trupat shqiptare dhe italiane kanë bashkëpunuar në zona të ndryshme operacionale si Afganistani, Kosova, Letonia, Bullgaria dhe Bosnje e Hercegovina, duke forcuar koordinimin në kuadër të NATO-s dhe misioneve paqeruajtëse. Presidenti Begaj ka vlerësuar kontributin e Italisë në mbështetjen e Shqipërisë në rrugën euroatlantike, si dhe në zhvillimin e kapaciteteve mbrojtëse përmes trajnimeve dhe projekteve të përbashkëta.

Gjithashtu, është theksuar rëndësia e misionit të KFOR-it në Kosovë, i cili mbetet një faktor kyç për sigurinë dhe paqen në rajon. Të dyja palët kanë rënë dakord se bashkëpunimi në fushën e mbrojtjes do të vijojë të thellohet, në funksion të stabilitetit të Ballkanit Perëndimor dhe sigurisë së përbashkët.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)