Taskforcë për monitorimin e çmimit të karburanteve në Shqipëri, ja si do të funksionojë

Kjo strukturë do të monitorojë marzhet e fitimit në të gjithë zinxhirin e tregtimit, nga importi deri te shitja me pakicë, për të shmangur rritjet abuzive të çmimeve.

10.03.2026. 19:12

Taskforcë për monitorimin e çmimit të karburanteve në Shqipëri, ja si do të funksionojë

Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj zhvilloi një takim me përfaqësuesit e kompanive kryesore të sektorit të hidrokarbureve dhe drejtuesit e Shoqatës e Hidrokarbureve, për të analizuar situatën e çmimeve të karburanteve në vend, e ndikuar nga lufta në Iran.

Në takim morën pjesë edhe ministri i Financave, Petrit Malaj, si dhe ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Enea Karakaci. Diskutimet u fokusuan te zhvillimet e fundit në tregjet ndërkombëtare dhe ndikimi i tyre në tregun vendas të karburanteve.

Gjatë mbledhjes u analizua ecuria e çmimeve në bursën ndërkombëtare Platts Mediterranean, e cila shërben si referencë për çmimet e benzinës dhe gazoilit. Po ashtu u shqyrtua raporti mes çmimeve të importit, shitjes me shumicë dhe atyre me pakicë në Shqipëri.

Palët ranë dakord për rritjen e transparencës dhe shkëmbimin e vazhdueshëm të informacionit për lëvizjet e çmimeve, me qëllim ruajtjen e stabilitetit në treg.

Në këtë kuadër, Ministria e Ekonomisë do të krijojë një mekanizëm të përditshëm për monitorimin e çmimeve të hidrokarbureve dhe do të publikojë rregullisht informacione për qytetarët mbi faktorët që ndikojnë në ndryshimet e tyre.

Nga ana tjetër, Ministria e Financave do të krijojë një task-forcë të përbashkët mes administratës tatimore dhe doganave për të forcuar kontrollet në sektor. Kjo strukturë do të monitorojë marzhet e fitimit në të gjithë zinxhirin e tregtimit, nga importi deri te shitja me pakicë, për të shmangur rritjet abuzive të çmimeve.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)