Operacion ndërkombëtar antidrogë, zbulohet rrjeti shqiptar i kokainës dhe përfshirja e një oficeri të Policisë

Operacioni ndërkombëtar antidrogë zbuloi një rrjet të sofistikuar shqiptar të trafikut të kokainës dhe përfshirjen e një oficeri të Policisë së Shtetit, i cili dyshohet se ka shpërdoruar informacion sekret për përfitime personale.

27.11.2025. 21:33

Operacion ndërkombëtar antidrogë, zbulohet rrjeti shqiptar i kokainës dhe përfshirja e një oficeri të Policisë

Operacioni i madh antidrogë i zhvilluar mes Shqipërisë, Italisë dhe Zvicrës ka zbuluar veprimtarinë e një prej rrjeteve më të sofistikuara shqiptare të trafikut ndërkombëtar të kokainës, duke ekspozuar edhe përfshirjen e një oficeri të Policisë së Shtetit në rrjedhjen e informacionit sekret.

SPAK reagoi zyrtarisht të enjten, duke bërë të ditur se me kërkesë të Prokurorisë së Posaçme, Gjykata e Posaçme ka urdhëruar kontrollin e ambienteve të 21 personave nën hetim. Kontrollet u realizuan këtë mëngjes nga Policia e Shtetit, si pjesë e hetimeve të nisura në kuadër të një Skuadre të Përbashkët Hetimore me Antimafian e Breshias dhe Prokurorinë e Zvicrës.

Sipas SPAK, hetimet zbuluan një grup të strukturuar kriminal, të përbërë kryesisht nga shtetas shqiptarë, i cili dyshohet se trafikonte kokainë nga Amerika e Jugut drejt Europës së Veriut, përmes rrugëve detare, e më pas e dërgonte në Itali me mjete të tonazhit të rëndë. Autoritetet italiane kanë sekuestruar mbi 1,300 kg kokainë, e cila më pas ruhej në gjashtë baza logjistike të krijuara nga organizata në gjithë territorin italian.

Në këto baza, lënda narkotike ndahej dhe shpërndahej, ndërsa paratë e fituara dërgoheshin në Shqipëri përmes të ashtuquajturve “money mules”, mes tyre edhe shoferë autobusësh të linjës Itali–Shqipëri.

Gjatë hetimeve janë arrestuar në flagrancë 10 persona dhe janë sekuestruar 550 mijë euro cash, 130 kg drogë, 10 automjete dhe një armë zjarri. Nga 24 personat me masa sigurie të lëshuara nga drejtësia italiane, gjashtë ndodhen në Shqipëri, dhe tre janë arrestuar.

Një tjetër element i rëndë i dosjes është përfshirja e Igli Haxhiaj, oficer i Policisë së Shtetit, i cili akuzohet se ka zbuluar të dhëna sekrete të hetimit në këmbim të pagesave të parregullta. SPAK thotë se ai ka vepruar në kundërshtim me ligjin, duke favorizuar të dyshuarit dhe duke tradhtuar detyrën e tij si oficer i Policisë Gjyqësore.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)