Efektivët e sektorit të Antridrogës në Policinë e Tiranës kanë finalizuar me sukses një operacion kuadër të goditjes së veprimtarisë kriminale në fushën e narkotikëve, duke vënë në pranga 45-vjeçarin Ervin Kaftiraj.
Ai u kap në flagrancë në një parkim pranë rrethrrotullimit të qendrës tregtare TEG, ku shërbimet e Policisë i gjetën një pako me kokainë, e cila dyshohet se mbahej me qëllim shitjen në zona të ndryshme të kryeqytetit.
Sipas burimeve policore, 45-vjeçari, i cili njihet si person që ushtron aktivitet në fushën e dhënies me qira të automjeteve luksoze dhe mjeteve retro, ishte prej disa muajsh nën përgjim dhe ndjekje nga Sektori i Antidrogës së Tiranës.
Gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e tij, policia gjeti dhe sekuestroi një armë gjahu dhe një armë sportive. Në total, u sekuestruan 1 kilogram e 39.4 gramë lëndë e dyshuar narkotike kokainë, një motomjet, një aparat celular, si dhe dy armët.
Ndërkohë, hetimet vijojnë për identifikimin dhe arrestimin e personave të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)