Një total prej 160 predhash të mbetura nga Lufta e Dytë Botërore janë zbuluar pranë urës së Vodiçës, në fshatin me të njëjtin emër, të Bashkisë Selenicë.
Municionet u konstatuan nga një firmë që po kryente punime në zonë, e cila njoftoi menjëherë autoritetet për praninë e tyre. Në vendngjarje mbërritën forcat xheniere, të cilat nisën operacionin për identifikimin dhe sigurimin e predhave.
Operacioni zgjati dy ditë. Gjatë ditës së parë u gjetën dhe u siguruan rreth 140 predha mortaje, ndërsa në vijim u evidentuan edhe 20 predha të tjera, duke e çuar numrin total në 160.
Sipas burimeve zyrtare, të gjitha predhat janë transportuar drejt Tiranës, ku do t’i nënshtrohen procedurave për asgjësim të kontrolluar nga specialistët përkatës.
Ndërhyrja e shpejtë e forcave xheniere shmangu çdo rrezik të mundshëm për banorët e zonës dhe për punonjësit që po realizonin punimet pranë urës.
Komente (0)