Detaje nga atentati i vitit 2021, i afërmi i biznesmenit të vrarë Çajup Selimi dëshmon në GJKKO

Leonard Selimi deklaroi se nuk kishte dëgjuar të shtëna armësh dhe se kishte gjetur një plumb brenda banesës, pranë krevatit.

25.02.2026. 14:31

Detaje nga atentati i vitit 2021, i afërmi i biznesmenit të vrarë Çajup Selimi dëshmon në GJKKO

Në seancën e zhvilluar në Gjykatën e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar është dëgjuar dëshmia e Leonard Selimit, i afërm i biznesmenit Çajup Selimi, i vrarë më 1 qershor 2021. Çështja po shqyrtohet në kuadër të hetimeve për dyshimet se vrasja është kryer me porosi.

Sipas deklarimeve të mëparshme ekzekutorit Artan Tafani, tashmë i penduar i drejtësisë, atentati dyshohet të jetë organizuar nga Laert Haxhiu. Sipas dëshmive, ai ka paguar 25 mijë euro për ekzekutimin e biznesmenit. Tafani ka pohuar gjithashtu se viktima e ka parë në sy në momentin e atentatit, pa arritur të kuptojë se nga po qëllohej.

Gjatë dëshmisë së tij në GJKKO, Leonard Selimi deklaroi se nuk kishte dëgjuar të shtëna armësh dhe se kishte gjetur një plumb brenda banesës, pranë krevatit. Ai tha se plumbin e dorëzoi në polici të nesërmen. “Nuk dëgjova krisma armësh. Gjeta plumbin brenda në shtëpi, te koka e krevatit. Ia dhashë të nesërmen policisë. Atë natë nuk kisha parë asgjë. Pashë vetëm vrimën në derë”, u shpreh ai para trupit gjykues.

Ai tregoi se në momentin e ngjarjes ndodhej në shtëpi rreth orës 21:00. Plumbi kishte goditur derën dhe kur pa gjak, u përpoq t’i jepte ndihmën e parë viktimës. “Kur dola te dera pashë gjak. U mundova t’i jap ndihmën e parë. I dilte gjak nga goja, nuk kishte reagim. Doli nusja e tij, pastaj dikush nga kati i parë dhe të gjithë të tjerët. E mora vesh nga televizioni”, tha Leonard Selimi.

Ai e përshkroi viktimën si “djalë punëtor” dhe “të qetë” dhe se para vrasjes nuk kishin informacion për ndonjë konflikt të hapur. “Pasi u vra, morëm vesh që kishte probleme. Kishte sherre me disa çuna nga fshati Veliqot i Tepelenës. Emrat nuk i di, por si fytyra i njoh. Janë tre çuna, kanë bërë një ose dy sherre. Ishin rregulluar pastaj dhe erdhën te varrimi. Ishte mbyllur sherri. Nuk di për ndonjë sherr tjetër. Nuk e shpjegoj dot vrasjen”, tha ai.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)