Sekuestrohen 350 kg kanabis në Kakavijë, 166 pako të fshehura në shasi

Policia e Kakavijës ka zbuluar një sasi të madhe lënde narkotike në shasinë e dyfishtë të një kamioni. Në pranga drejtuesi.

28.02.2026. 17:02

Sekuestrohen 350 kg kanabis në Kakavijë, 166 pako të fshehura në shasi

Një sasi e konsiderueshme lënde narkotike është sekuestruar mëngjesin e së shtunës në pikën kufitare të Kakavijës, gjatë një kontrolli të imtësishëm të ushtruar nga autoritetet doganore dhe Policia e Shtetit.

Gjatë kalimit në skaner të një trajleri që po dilte nga territori shqiptar, punonjësit e doganës kanë konstatuar një ndërhyrje të dyshimtë në strukturën e mjetit, konkretisht krijimin e një dopio shasie. Dyshimet kanë çuar në ndalimin e menjëhershëm të mjetit dhe kalimin e tij për kontroll fizik të detajuar.

Gjatë kontrollit, në bashkëpunim me forcat e policisë, janë zbuluar 166 pako të mbështjella, me peshë rreth 2.1 kilogramë secila, të dyshuara si lëndë narkotike e llojit kanabis sativa. Në total, pesha e lëndës së sekuestruar arrin në rreth 350 kilogramë.

Burime zyrtare bëjnë me dije se lënda narkotike ishte fshehur me qëllim trafikimin drejt vendeve të Bashkimit Europian.

Drejtuesi i mjetit është shoqëruar për në ambientet e policisë, ndërsa po kryhen veprimet procedurale dhe hetimore për dokumentimin e plotë të rastit dhe identifikimin e personave të tjerë të përfshirë.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)