Ndotja mjedisore në Vjosë, procedohen 4 punonjës të kompanisë së nxjerrjes së naftës

Sipas policisë, këta shtetas nuk kanë marrë masa për riparimin e një linje të dëmtuar të tubacionit të nxjerrjes së naftës.

11.04.2026. 17:42

Ndotja mjedisore në Vjosë, procedohen 4 punonjës të kompanisë së nxjerrjes së naftës

Policia e Fierit ka nisur procedimin penal ndaj 4 punonjësve të kompanisë Alpetrol për shkak të katastrofës mjedisore që është shkaktuar prej disa ditësh në zonë për shkak të rrjedhjes së naftës, e cila ka prekur dhe parkun kombëtar të Vjosës.

Personat e proceduar janë Zylfo Tabakaj, Aleksandër Zeneli, Gramoz Bregaj, Genci Numanaj, të katër punonjës në kompaninë që nxjerr naftë në zonë.

Sipas policisë, këta shtetas nuk kanë marrë masa për riparimin e një linje të dëmtuar të tubacionit të nxjerrjes së naftës, duke shkaktuar ndotje të mjedisit dhe lumit Vjosa.

Prej gjashtë ditësh tubacioni që bën transmetimin e naftës nga zona naftëmbajtëse e Drenovës drejt qendrës së grumbullimit është çarë për shkak të amortizimit duke bërë që mbetjet hidrokarbure të derdhen në përroin e Gorishovës dhe kanë përfunduar në lumin Vjosë.

Punonjësit e “Alpetrol” morën masa vetëm një ditë më parë duke vendosur prita në mënyrë që mbetjet hidrokarbure të mos vazhdojnë te depërtojnë në lumin Vjosë.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)