Shkëmbim zjarri me policinë në Mamurras, mbetet i plagosur 23-vjeçari i kërkuar nga Italia

Një operacion policor për arrestimin e një personi të shpallur në kërkim në Mamurras ka përfunduar me një të plagosur pas shkëmbimit të zjarrit me forcat e policisë.

19.05.2026. 15:50

Shkëmbim zjarri me policinë në Mamurras, mbetet i plagosur 23-vjeçari i kërkuar nga Italia

Një operacion i zhvilluar nga Forcat Operacionale të policisë në aksin rrugor Mamurras-Laç ka përfunduar me plagosjen e një personi të shpallur në kërkim ndërkombëtar dhe arrestimin e dy shtetasve, pas shkëmbimit të zjarrit me efektivët.

Sipas informacioneve zyrtare, ndërhyrja u realizua pas sigurimit të të dhënave nga partnerët ndërkombëtarë për vendndodhjen e 23-vjeçarit Leonard Dema, banues në Mamurras, i dënuar nga Gjykata e Trentos në Itali me 7 vite burg për tentativë vrasjeje.

Policia ka bërë me dije se gjatë operacionit, i riu ka tentuar të largohet duke rrezikuar jetën e efektivëve, pasi dyshohet se ka tentuar t’i përplasë me automjetin ku udhëtonte së bashku me Amadeo Fufin, 28 vjeç.

Sipas uniformave blu, në momentin e ndërhyrjes, 28-vjeçari ka nxjerrë një armë zjarri pistoletë dhe e ka drejtuar në drejtim të forcave policore. Në kushtet e vetëmbrojtjes, efektivët kanë reaguar për neutralizimin e situatës, ku si pasojë ka mbetur i plagosur Leonard Dema.

23-vjeçari u transportua me urgjencë drejt Spitalit të Traumës, ku ndodhet nën kujdesin e mjekëve.

Ndërkohë pas operacionit, policia arrestoi në flagrancë Amadeo Fufin, ndërsa gjatë kontrollit u sekuestrua arma e zjarrit që ai mbante me vete.

“Në vijim të operacioneve të Drejtorisë së Forcës së Posaçme Operacionale, të realizuara pas shkëmbimit të informacioneve dhe koordinimit të veprimeve operacionale me partnerët ndërkombëtarë, me qëllim kapjen e shtetasve në kërkim, është administruar informacion për vendndodhjen e shtetasit të shpallur në kërkim Leonard Dema, 23 vjeç, lindur në Mamurras, i dënuar me 7 vjet burgim nga Gjykata e Trentos, për tentativë vrasjeje.

Gjatë operacionit për kapjen e të kërkuarit, në momentin e ndërhyrjes, në një karburant në aksin rrugor “Mamurras–Laç”, 23-vjeçari, që shoqërohej nga shtetasi A. F, dhe lëvizte me automjet, sapo ka konstatuar efektivët, ka tentuar t’i përplasë me automjet, duke u rrezikuar jetën, si dhe personi shoqërues iu ka drejtuar armën e zjarrit pistoletë, shërbimeve të Policisë.

Shërbimet e Policisë, në kushtet e vetëmbrojtjes, gjatë ndërhyrjes për neutralizimin e tyre, kanë plagosur shtetasin Leonard Dema, i cili është në kujdesin e mjekëve. Në vijim të veprimeve procedurale u bë arrestimi në flagrancë dhe i shtetasit A. F., 28 vjeç, që shoqëronte shtetasin në kërkim”, informon policia.

Zona ku ndodhi ngjarja u rrethua nga forca të shumta policore dhe hetuesit po vijojnë punën për dokumentimin e plotë të rrethanave të përplasjes dhe veprimeve të dy të arrestuarve.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)