Salianji nga Korça: Rrogëtarët duan të mbajnë peng partinë

Nga Korça, ku u prit nga qindra demokratë, Salianji nuk kurseu akuzat ndaj qeverisë, por as ndaj lidershipit aktual të PD-së.

10.01.2026. 18:03

Salianji nga Korça: Rrogëtarët duan të mbajnë peng partinë

Ervin Salianji është pritur me brohoritje dhe mbështetje nga simpatizantët demokratë gjatë një takimi të zhvilluar në Korçë, ku ka përcjellë mesazhe të ashpra politike si ndaj qeverisë, ashtu edhe ndaj lidershipit aktual të Partisë Demokratike. Salla e mbushur plot, pavarësisht kushteve të vështira atmosferike, u cilësua prej tij si dëshmi e shpresës dhe energjisë që, sipas Salianjit, ekziston brenda opozitës.

Duke falënderuar qytetarët për mbështetjen, Salianji u shpreh se Korça ka qenë gjithmonë një pikë e fortë për demokratët dhe një simbol i rezistencës politike. Ai theksoi se qëllimi kryesor është bashkimi i Partisë Demokratike për ta kthyer atë në një forcë fituese dhe për të larguar nga pushteti kryeministrin Edi Rama.

“Ju keni marrë një mesazh që nuk është nga Korça sepse nuk është as në dialektin e Korçës, thoshte ka agjendë personale që është dialektore e një treve tjetër. Atij mesazhi që është dërguar nga Edi Rama se vetëm ai mund të ketë 20 mln lekë që dërgojë mesazhe gjithë dynjasë, që takimi organizohet nga krimi i organizuara. Jo zotëri, lidhjet me krimin i kanë personazhe të tjera në qeveri që unë i kam denoncuar me emër dhe mbiemër, jo vetëm në parti të cilët i dimë shumë mirë se cilët kanë probleme. Këtë takim e ka organizuar partia e organizuar që i përgjigjet çorganizimit të lidershipit të partisë qendrore”, tha Salianji.

Në fjalën e tij, Salianji hodhi poshtë akuzat se takimi ishte i organizuar nga elementë kriminalë, duke i quajtur ato mesazhe të fabrikuara dhe të financuara nga qeveria. Sipas tij, lidhjet me krimin i kanë figura të rëndësishme të mazhorancës, të cilat ai pretendon se i ka denoncuar publikisht me emër dhe mbiemër.

Ai kritikoi edhe lidershipin e PD-së, duke e akuzuar për mungesë organizimi, kontradikta politike dhe nënshtrim ndaj qeverisë. Salianji tha se humbjet elektorale nuk janë vetëm pasojë e manipulimeve të qeverisë, por edhe e gabimeve të brendshme të drejtimit të partisë.

Ai theksoi se Partisë Demokratike i duhet revoltë, përballje dhe unitet përballë qeverisë, duke nënvizuar se vetëm një opozitë e fortë dhe e bashkuar mund të sjellë ndryshim real politik në vend.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)