Berisha në Kombinat: Koha për të përmbysur ‘narkoregjimin’ e Ramës ka ardhur

Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, zhvilloi një takim me demokratët në zonën e Kombinatit në Tiranë, duke theksuar se tashmë ka ardhur koha që shqiptarët të ngrihen për të mbrojtur pluralizmin dhe vlerat demokratike.

18.01.2026. 20:50

Berisha në Kombinat: Koha për të përmbysur ‘narkoregjimin’ e Ramës ka ardhur

Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, zhvilloi një takim me demokratët në zonën e Kombinatit në Tiranë, duke theksuar se tashmë ka ardhur koha që shqiptarët të ngrihen për të mbrojtur pluralizmin dhe vlerat demokratike. Në një fjalim të ashpër kundër qeverisë dhe kryeministrit Edi Rama, Berisha akuzoi atë për keqmenaxhim, korrupsion dhe lidhje me krimin e organizuar, duke e quajtur regjimin e tij “narkoregjim”.

Berisha deklaroi se Partia Demokratike ka denoncuar çdo ditë praktikat e qeverisë që sipas tij vjedhin qytetarët dhe rrezikojnë të ardhmen e vendit. Ai përmendi taksat e rënda, largimin masiv të të rinjve dhe përdorimin e parave publike për përfitime personale, duke e cilësuar qeverinë si kërcënim jo vetëm për Shqipërinë, por edhe për sigurinë më gjerë. Kryedemokrati vlerësoi qëndresën e demokratëve, të cilët sipas tij kanë mbrojtur pluralizmin dhe të drejtat qytetare pavarësisht presioneve dhe izolimit politik.

Gjatë fjalimit, Berisha i bëri thirrje publikut të reagojë ndaj qeverisë më 24 janar, duke akuzuar kryeministrin për mosheqjen e imunitetit të zv.kryeministres Belinda Balluku, për të cilën SPAK kërkon arrestimin. Ai denoncoi gjithashtu baxhanakun e Ramës, i përfshirë sipas tij në 800 transaksione me paratë e qytetarëve përmes AKSHI-t dhe kontratave sekrete.

“Po AKSHI, sa herë e kisha denoncuar unë publikisht, Armand Frangun, baxhanakun e tij? I cili, në një vit ka 800 transaksione nga paratë tuaja, nga baxhanaku kryeministër. I cili ka qindra kontrata sekrete në kundërshtim flagrant me ligjin, i cili aksioner kryesor i të gjitha vjedhjeve, bashkë me baxhanakun kryeministër dhe sipërmarrjen që na e shet si model, merreshin njerëzit peng. Agjenci shtetërore ajo, që merrte njerëz peng”, tha Berisha.

Berisha u shpreh se Partia Demokratike synon të “arkivojë regjimin e Ramës” dhe të rikthejë Shqipërinë në rrugën e dinjitetit dhe zhvillimit. Ai ftoi demokratët dhe qytetarët të bashkohen në një kryengritje paqësore për të siguruar votë të lirë dhe për të vendosur drejtësinë mbi korrupsionin dhe abuzimet e qeverisë.

“Ne jemi parti misioni,” theksoi Berisha, “dhe ky është momenti ynë për të rikthyer pluralizmin dhe të drejtat e qytetarëve shqiptarë.”

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)