“Fantazma” e një shpërthimi të fuqishëm kozmik është kapur falë një radioteleskopi të përbërë nga 36 antena, i vendosur në Australinë Perëndimore. Sipas studimit, i publikuar në platformën “arXiv” dhe në prag botimi në “The Astrophysical Journal”, ky mund të jetë shembulli më bindës i parë ndonjëherë i shkëlqimit të mbetur nga një shpërthim rrezesh gama, i cili kishte kaluar pa u vënë re sepse nuk ishte drejtuar nga Toka.
Këto janë ndër ngjarjet më ekstreme dhe më të rralla që mund të prodhojë universi. Kërkimi është udhëhequr nga Universiteti i Sidnej. Sinjali “fantazmë”, i identifikuar me kodin “Askap J005512-255834”, lidhet me faktin se shpërthimet e rrezeve gama krijojnë valë goditëse, për shkak të shpejtësisë së tyre, e cila është thuajse sa ajo e dritës. Këto valë zgjerohen gradualisht në hapësirë dhe mund të bëhen të dallueshme edhe nëse shpërthimi fillestar nuk ishte drejtuar nga planeti ynë.
Megjithatë, zbulimi i tyre është jashtëzakonisht i vështirë sepse fenomeni që paralajmëron ardhjen e tyre është i padukshëm dhe shpesh kur arrijnë të zbulohen nga instrumentet tokësore, sinjali është bërë tashmë shumë i dobët. Duke analizuar të dhënat në kërkim të këtyre “fantazmave kozmike”, studiuesit e udhëhequr nga Ashna Gulati identifikuan një kandidat premtues: një sinjal radio që më parë nuk ekzistonte.
Sinjali u fuqizua shpejt, duke arritur një intensitet të krahasueshëm me valët radio të emetuara nga miliarda Diellë, përpara se të zbehej gradualisht. Gjithashtu, ky shkëlqim nuk mund të zbulohej në dritën e dukshme dhe as me rrezet X. Këto karakteristika përputhen me ato që priten nga jehona e një shpërthimi rrezesh gama, edhe pse ekziston mundësia që fenomeni të jetë shkaktuar nga një yll që ka kaluar shumë pranë një vrime të zezë.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)