Hapet pas 11 ditësh aksi Librazhd-Prrenjas, Rama: Rrëshqitje të shkaktuara nga faktori gjeologjik

Kryeministri foli rreth debatit të krijuar për bllokimin e rrugës së vjetër dhe spekulimet për ndërprerjen e punimeve në “Korridorin VIII” gjatë kësaj periudhe.

07.03.2026. 14:33

Hapet pas 11 ditësh aksi Librazhd-Prrenjas, Rama: Rrëshqitje të shkaktuara nga faktori gjeologjik

Pas 11 ditësh u hap rruga që lidh aksin Librazhd-Prrenjas, e cila paralizoi juglindjen e Shqipërisë me pjesën tjetër të vendit. Kryeministri Edi Rama inspektoi punimet në “Korridorin VIII”, duke u ndalur edhe te rrëshqitja e dheut në zonën e Arrve të Gurrës. Kreu i qeverisë deklaroi se situata u shkaktua nga faktorë natyrorë dhe jo nga punimet që po zhvillohen në këtë korridor rrugor.

“Tollovia që u shemb rruga nga punimet është një manipulim dhe perversitet i madh sepse këtu jemi në aksin e vjetër, aksi i ri nuk është ndërtuar ende. Ajo atje është një rrëshqitje e shkaktuar nga faktori gjeologjik i ngarkuar nga shirat. Kriminale në lidhje me publikun, por kur ka zhurma të mëdha duhet të presësh të bjerë fryrja e madhe e një plage për ta adresuar pastaj, ndryshe nuk të dëgjon njeri, deklaroi Rama.

Kryeministri analizoi më tej debatin e krijuar për bllokimin e rrugës së vjetër dhe spekulimet për ndërprerjen e punimeve në “Korridorin VIII” gjatë kësaj periudhe. “Rrëshqitja në gjatësi 150 m në aksin rrugor Librazhd–Prrenjas nuk ka asnjë lidhje me punimet në kantierin prej 35 kilometrash të ‘Korridorit VIII’”, tha ai.

Rama shtoi: “U kthye në një burim helmi ku u furnizuan me ditë e netë të tëra 700 tenxheret politike e mediatike. Ndërkohë, puna nuk ka ndalur asnjë ditë dhe bashkë me diellin ka dalë edhe e vërteta e qartë e atij bllokimi që shqetësoi me të drejtë të madh e të vogël përgjatë atij aksi”.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)