Salianji nga Fieri: Më të votuarit përjashtohen nga lidershipi i PD, status quo-ja i shërben Ramës

Me tone kritike dhe mesazhe të drejtpërdrejta ndaj lidershipit të Partisë Demokratike, Ervin Salianji ka vijuar debatin e brendshëm në opozitë gjatë një takimi me demokratët dhe mbështetësit e tij në Fier, ku kërkoi hapje, garë dhe rikthim të demokracisë së brendshme në parti.

03.02.2026. 19:01

Salianji theksoi se Shqipëria dhe Partia Demokratike kanë nevojë për drejtësi dhe shpresë, jo për propagandë apo mbyllje politike. “Shqipëria nuk ka nevojë për beton, por për shpresë. Nuk ka nevojë për më shumë pushtet, por për demokraci”, u shpreh ai, duke shtuar se mënyra se si janë hartuar listat zgjedhore ka cenuar rëndë parimin e meritës.

Ai kritikoi faktin se, sipas tij, figura dhe struktura që kanë qenë më të votuarat dhe më aktive në terren janë përjashtuar nga listat në disa qarqe, përfshirë Fierin, Tiranën, Elbasanin, Dibrën dhe Kukësin. “Për katër vite jemi bashkë në sakrifica, por kur vijnë zgjedhjet, lidershipi bunkerizohet dhe përjashton ata që dalin të parët”, tha Salianji.

Sipas tij, kjo gjendje i shërben kryeministrit Edi Rama, i cili përfiton nga një opozitë e dobët dhe e mbyllur. “Status quo-ja jonë i shërben Ramës. PD sot qëndron ashtu siç e do ai”, deklaroi Salianji.

Në mesazhin e tij drejtuar edhe Sali Berishës, Salianji theksoi se PD është pasuria më e madhe e demokratëve, por duhet të jetë një parti e garës, meritës dhe parimeve. Ai bëri thirrje për bashkimin e të gjithë demokratëve, përfshirë ata që, sipas tij, po përjashtohen nga lidershipi, duke theksuar se vetëm një PD e hapur mund të rikthejë besimin e qytetarëve dhe të sjellë ndryshimin.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)