Thirrjet ndaj Policisë së Shtetit dhe mobilizimi për protestën e 20 shkurtit ishin në qendër të fjalës së kreut të Partisë Demokratike, Sali Berisha, gjatë Foltores së mbajtur në Tiranë dhe tubimit para Kryeministrisë pasditen e së hënës.
Berisha u bëri apel efektivëve të policisë që të mos zbatojnë, sipas tij, “urdhrat e paligjshëm” të drejtuesve të lartë, duke përmendur me emër Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë, Proda, dhe zyrtarin Sokol Bizhga. “Nuk ju bashkon asgjë me ata kriminelë, urdhrat e tyre asnjë të mos i zbatojë”, deklaroi ai, ndërsa paralajmëroi se çdo keqtrajtim ndaj qytetarëve dhe të rinjve do të përballet me reagim.
Kreu i PD dënoi atë që e cilësoi si dhunë fizike dhe psikologjike ndaj të rinjve të arrestuar gjatë protestës së 10 shkurtit, duke përmendur edhe rastin e një oficereje që, sipas tij, ishte paraqitur si psikologe pranë adoleshentëve të ndaluar.
Në fjalën e tij, Berisha sulmoi ashpër edhe kryeministrin Edi Rama, duke e akuzuar për korrupsion dhe shpërdorim pushteti. Ai deklaroi se opozita, përmes “kryengritjes paqësore”, ka denoncuar qeverinë në sytë e opinionit ndërkombëtar dhe paralajmëroi se “populli do të veprojë” ndaj saj.
Berisha akuzoi Ramën se përdor mandatet politike si mburojë për të vjedhur pasuritë publike, duke paralajmëruar se çdo pasuri e fituar në mënyrë të paligjshme, sipas tij, do të konfiskohet.
Ai i bëri thirrje qytetarëve dhe veçanërisht rinisë që më 20 shkurt “Tirana të derdhet në rrugë”, duke e cilësuar këtë si moment vendimtar për të ardhmen politike të vendit.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)