Kuvendi zgjedh 4 anëtarët e rinj të Këshillit Mbikëqyrës të BSH-së, miratohet ligji i ri për Shërbimin e Jashtëm

Në një seancë maratonë, që zgjati 18 orë, Kuvendi miratoi draftin e Ministrisë së Jashtme për Shërbimin e Jashtëm, ligjin e ndryshuar për funksionimin e AKSHI-t dhe zgjodhi katër nga anëtarët e rinj të Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë.

20.02.2026. 08:13

Kuvendi zgjedh 4 anëtarët e rinj të Këshillit Mbikëqyrës të BSH-së, miratohet ligji i ri për Shërbimin e Jashtëm

Pas një seance maratonë që zgjati rreth 18 orë, Kuvendi i Shqipërisë miratoi disa projektvendime për plotësimin e vendeve vakante në Këshillin Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë, duke zgjedhur katër anëtarë të rinj.

Me 74 vota pro, 16 kundër dhe asnjë abstenim, deputetët miratuan emërimin e Selami Xhepës si anëtar i Këshillit Mbikëqyrës. Në një tjetër votim, me 72 vota pro, 19 kundër dhe 1 abstenim, u miratua kandidatura e ish-kryetares së Gjykatës Kushtetuese, Holta Zaçaj, e cila do t’i bashkohet organit më të lartë vendimmarrës të bankës qendrore.

Po ashtu, me 74 vota pro, 17 kundër dhe asnjë abstenim, u miratua emërimi i Ervin Metes si anëtar i Këshillit Mbikëqyrës, ndërsa Jonida Prifti u zgjodh me 73 vota pro, 18 kundër dhe asnjë abstenim.

Ndërkohë, projektvendimi për zgjedhjen e Matilda Shehut u shty për votim në një seancë të ardhshme plenare, me kërkesë të Kryetarit të Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste.

Gjatë së njëjtës seancë, Kuvendi miratoi me 75 vota pro të mazhorancës ligjin e ri për shërbimin e Jashtëm në Republikën e Shqipërisë. Drafti i propozuar nga Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme parashikon, ndër të tjera, testimin e detyrueshëm të diplomatëve brenda 12 muajve nga hyrja në fuqi e ligjit.

Sipas nenit 68, pika 3, të gjithë diplomatët në shërbim duhet t’i nënshtrohen një testimi për verifikimin e aftësive të tyre, ndërsa procedurat dhe kriteret do të përcaktohen me akt nënligjor.

Opozita votoi kundër projektligjit, ndërsa deputeti Redi Muçi i Lëvizjes Bashkë abstenoi.

Ndërkohë, shumica parlamentare rrëzoi në bllok gjashtë projektligje të paraqitura nga opozita. Dy prej tyre ishin propozuar nga Ina Zhupa për trashëgiminë kulturore dhe për një ndryshim në ligjin e arsimit të lartë, dy nga Jorida Tabaku për statusin e minatorit dhe akcizat dhe një nga grupi parlamentar i Partisë së Lirisë për tatimin mbi vlerën e shtuar dhe analizat laboratorike të ndotësve në ushqim.

Projektligjet morën vetëm 17 vota pro në votimin në parim dhe nuk arritën të kalojnë për shqyrtim nen për nen. Deputeti socialist Erjon Braçe abstenoi në tre prej propozimeve të opozitës, ndryshe nga pjesa tjetër e grupit të tij parlamentar që votoi kundër.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)