Pas bllokimit prej 10 ditësh të aksit Librazhd–Pogradec për shkak të rrëshqitjes masive të dheut në zonën e njohur si “Arrat e Gurrës”, në Dragostunjë, Autoriteti Rrugor Shqiptar ka bërë publik projektin e segmentit të ri devijues që do të rikthejë qarkullimin në këtë zonë problematike.
Sipas ARRSH-së, zgjidhja emergjente parashikon ndërtimin e një aksi alternativ me gjatësi 1.3 kilometra, i cili do të shtrihet përgjatë lumit Shkumbin dhe paralel me linjën hekurudhore ekzistuese.
Ky segment i ri do të lidhë Dragostunjën me Hotolishtin, duke shmangur plotësisht pjesën e dëmtuar të rrugës aktuale dhe zonën me rrezik të lartë rrëshqitjeje.
Projekti parashikon ndërhyrje të shumta inxhinierike për të garantuar stabilitetin dhe sigurinë e rrugës së re, duke nisur me devijimin e përkohshëm të rrjedhës së lumit Shkumbin, për të mbrojtur infrastrukturën nga erozioni dhe dëmtimet e mëtejshme.
Po ashtu parashikohet rregullimi i urës së prekur nga rrëshqitja, lehtësimi i ngarkesës në trupin e rrugës ekzistuese, ku ka ndodhur shembja dhe heqja e mbi 64 mijë metra kub materialesh inerte nga zona e dëmtuar.
Ndërkohë, në videon e publikuar nga ARRSH pasqyrohet edhe grafikisht mënyra sesi rrëshqiti masivi i dheut tek “Arrat e Gurrës”, ku u dëmtua edhe traseja e Korridorit VIII.
Paralelisht, janë marrë kampionë gjeologjikë në katër pika kyçe përmes shpimeve me sondë, me qëllim analizimin e qëndrueshmërisë së terrenit dhe garantimin e sigurisë afatgjatë të investimit.
Ndërhyrjet janë realizuar në bashkëpunim me OST-në për demontimin e shtyllave të tensionit të lartë dhe të ulët të prekura nga rrëshqitja, ndërsa policia ka garantuar sigurinë dhe menaxhimin e trafikut.
Sakaq, ARRSH pritet të përcaktojë së shpejti afatet konkrete për nisjen e punimeve në terren për ndërtimin e rrugës së re devijuese, për të cilën është ende e paqartë se kur do të përfundojë.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)